AKTUALITET /

Skandal! Ilaçi anti-tumoral me probleme, u regjistrua nën ndikimin e Allajbeut

Agjencia Kombëtare e Barnave është akuzuar për lehtësimin e regjistrimit të medikamentit antitumoral Nilotinib, pavarësisht dështimeve në analizat laboratorike, duke rrezikuar pacientët onkologjikë

Shkruar nga Versus

Skandal! Ilaçi anti-tumoral me probleme, u regjistrua nën ndikimin e

Një tjetër shqetësim i madh po ngrihet mbi veprimtarinë e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, e cila, sipas burimeve, po funksionon nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Klodian Allajbeut dhe Rasim Hamzaraj — të dy të lidhur me ish-ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili — duke rrezikuar sigurinë e shëndetit publik.

Në qendër të alarmit ndodhet medikamenti antitumoral i prodhuar në Maltë dhe shpërndarë nga kompania vendase Megapharma, i cili nuk ka përmbushur kriteret laboratorike gjatë analizave fillestare, por megjithatë ka kaluar në procesin e regjistrimit. Mostrat e para të dorëzuara për analizë ishin problematike dhe më pas u zëvendësuan me mostra të tjera që lejuan vijimin e procedurës, një praktikë që përbën shkelje të rënda të sigurisë farmaceutike dhe një rrezik të drejtpërdrejtë për pacientët onkologjikë.

Lidhen pyetje të rëndësishme: pse u pranuan mostra të reja pas dështimit të analizave fillestare, kush mori vendimin dhe nëse agjencia vepron si garant i sigurisë apo thjesht formalitet. Agjencia ka detyrimin ligjor dhe moral të sqarojë publikisht procedurat e ndjekura, rezultatet reale të analizave dhe arsyet pse një produkt i kontestuar kaloi filtrat zyrtarë. Shëndeti i pacientëve nuk mund të trajtohet si formalitet administrativ.

Top Channel ka kërkuar nga Agjencia Kombëtare e Barnave informacion për numrin e aplikimeve për autorizim tregtimi të medikamentit Nilotinib gjatë vitit 2025, operatorët përkatës, rezultatet e analizave, masat e marra ndaj aplikimeve problematike dhe arsyet pse disa aplikime janë lejuar ndërsa të tjera jo.

Ky skandal është një argument i fortë për SPAK që të hetojë dhe të zbardhë çfarë po ndodh, në mënyrë që të mbrohen interesat e pacientëve, të cilët aktualisht duket se janë lënë në dorë të përfitimeve financiare të Klodian Allajbeut, Rasim Hamzaraj dhe Petrit Vasilit./ Versus.al

Poll