Tre efektivë të Policisë së Shtetit në Elbasan janë pezulluar nga detyra pas një ngjarjeje të rëndë që përfshin arratisjen e një të arrestuari nga ambientet e komisariatit. Ngjarja ka ndodhur më 3 qershor, kur shtetasi me iniciale B. Z., i arrestuar në flagrancë si i dyshuar për një vepër penale, është larguar nga dhomat e sigurisë.
Sipas njoftimit zyrtar të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), efektivët e përfshirë kanë dështuar të marrin masat e nevojshme për sigurimin e personave të ndaluar, duke vepruar në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë punën e policisë.
Për këtë arsye, ndaj tyre është marrë masa e pezullimit nga detyra, ndërsa po hetohen për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Të pezulluarit janë:
Nënkomisar A. Zh., 35 vjeç – Specialist për Rendin në Komisariatin e Policisë Elbasan;
Inspektor P. B., 54 vjeç – Ndihmës Specialist Informacioni në të njëjtin komisariat;
Inspektor J. Gj., 60 vjeç – Ndihmës specialist për ruajtjen e dhomave të sigurisë.
Hetimet vijojnë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë, ndërsa policia është në kërkim të të arratisurit. /Versus.al







