
Pas skandalit me ndotjen në Lumin e Vjosës, Policia e Vlorës ka vënë në hetim Përparim Memaj, me detyrë përgjegjës sektori i dekantimit të naftës, në fshatin Gorisht, kompani që administrohet nga Albpetrol.
Në njoftimin e policisë thuhet se 59 vjeçari banues në Vlorë me detyrë përgjegjës sektori i dekantimit të naftës, në fshatin Gorisht, Selenicë, dyshohet se ka derdhur mbetje nafte në vendin e quajtur “Përroi i Madh” të Gorishtit, duke shkaktuar ndotje.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin P. M., 59 vjeç, banues në Vlorë, me detyrë përgjegjës sektori i dekantimit të naftës, në fshatin Gorisht, Selenicë, pasi dyshohet se nga ky sektor janë derdhur mbetje nafte në vendin e quajtur “Përroi i Madh” të Gorishtit, duke shkaktuar ndotje", njoftoi Policia e Vlorës.
I pari që dokumentoi ndotjen në lumin e Vjosës ishte fotografi dhe aktivisti i Riverwatch, Joshua David Lim, përmes një video të ndarë në rrjetet e tij sociale, i cili e përshkruan zonën e Vjosës si një “një lumë të vdekur, ku asgjë nuk mbijeton”.
Në video aktivisti mbante qese të zeza në këmbë dhe tentoi të futej në degën e lumit, por dështoi nga frika se mos mbetej aty.
Si dëshmi të dëmeve që i shkaktohen mjedisit, ai nxorri një gjarpër uji, i cili kishte tentuar që të dilte në breg.
“Është një baltë, është e trashë si katran dhe është rreth 10 cm këtu dhe ndoshta është shumë më tepër atje. Nuk po shkoj atje sepse mund të mos dal më. Ajo që shohim këtu sot më bën të mendoj vërtet se po qëndrojmë këtu pranë një dege që derdhet në Vjosë dhe në fakt nuk është më ujë. Është vetëm naftë bruto. Kjo është një katastrofë. Ja ku janë kafshë të ngordhura. Ka një gjarpër që përpiqet të notojë nëpër këtë naftë dhe ngordhi. Ky është një nga shembujt më të këqij të shkatërrimit të lumit që kam parë ndonjëherë. Dhe fakti që ai derdhet në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosë është një turp,” shprehet Ulrich Eichelmann, CEO i Riverwatch në video.
View this post on Instagram







