Përveç zbardhjes së vrasjes së ndodhur në Durrës në janar të 2021-it me urdhër të Astrit Avdylajt, SPAK goditi edhe grupin e Rrumit të Shijakut që merrej me tjetërsimin e pronave në Durrës.
Rezulton se grupi i mirëstrukturuar i drejtuar nga Aleksandër Laho i njohur si Rrumi i Shijakut, kishte kryer falsifikimin e dokumenteve të regjistrimit të pasurive të paluatjshme.
Si funksiononte skema
Pasuritë e regjistruara në kundërshtim me ligjin, regjistroheshin në emrin e fshatarëve të fshatrave Lalëz, Draç, Bizë dhe Shetaj, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve nuk kishin dijeni se ishin pronarë të këtyre pasurive.
Të gjitha këto veprime janë kryer me qëllimin e vetëm, realizimi i përfitimit të paligjshëm përmes shitjes së këtyre pasurive te individë apo kompani të interesuara për investime në zonën bregdetare Lalëz dhe Shetaj (Rëra e Bardhë dhe Kepi i Rodonit). në total janë sekuestruar 11 pasuri me sipërfaqe totale 254.300 m² në zonën bregdetare të fshatit Shetaj në Durrës, është sekuestruar nga SPAK, pasi rezulton se ajo është përfituar me dokumente të falsifikuara.
Zbulimi i ish-kreut të Kadastrës, të ndjerit Artan Lame në vitin 2022
Ajo çfarë u njoftua sot nga SPAK falë bashkëpunimit me partnerët evropianë, ish-kreu i Kadastrës shqiptare, i ndjeri Artan Lame asokohe në detyrë e kishte zbardhur vetë tre vite më parë. Në emisionin ‘’Opinion’’ në vitin 2022, Lame tregoi shkeljet e bëra dhe manipulimet me regjistrimin e pronave në kadastrën e Durrësit. Sipas tij, ishte konstatuar heqja e fletëve të regjistrit të pronave ose zëvendësimi i tyre.
“Kadastra e Durrësit nuk kishte seli. Ishte në një qendër biznesi private. U kalua kjo fazë duke e marrë fare Kadastrën duke e sjellë në Tiranë. Atë ditë është marrë me polici sepse pati një rezistencë. Në këtë moment filluan të dilnin çështje pak a shumë sëmundja e Vlorës.
Por me një risi. Në Vlorë s’kishte pasur fare regjistër, në Durrës ngaqë kishte regjistër detyroheshin të grisnin fletët.
‘’Durrësi kishte 1063 regjistra me 250 fletë secili të këtyre 30 viteve, vetëm 152 dilnin pa dëmtime dhe 908 regjistra janë të dëmtuar duke filluar që nga 730 faqe që mungojnë tërësisht, kalojnë nga 12 tek 15. Kur janë hequr me kujdes e kanë hequr dhe rrënjën e faqes. 243 faqe janë të zëvendësuara sepse dallojnë nga ngjyra”- shprehej asokohe Artan Lame.
Ndërkohë, Rrumi i Shijakut është ende në kërkim për disa vepra penale dhe së fundmi për tjetërsimin e pronave në Durrës. Versus.al







