
Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë marrë sot mostrat për të analizuar tre produkte ushqimore, që dyshohet se mund të kenë shkaktuar intoksikimin e 70 fëmijëve në kopshtin publik të qytetit të Gramshit.
Gazetari i News24, Osman Stafa, raporton nga qyteti i Gramshit se prindërit thonë se simptomat e fëmijëve kanë nisur që të premten e shkuar.
Një prej prindërve, thotë se ka patur 2 vajza në kopësht dhe nga ana e strukturave drejtuese janë lajmëruar që të marrin fëmijët pasi është evidentuar një rast me Salmonelë.
“Ne kemi kërkuar që dhënia e tenderit të ushqimit të mos jetë nga Tirana, me qëllim që ushqimi të jetë i freskët. Ne nuk e dimë a duhet të kemi besim nëse nuk do të ndodhë më si ky rast”, thotë babai i dy vajzave.
Sipas tij, ditën e hënë, prindërit kanë njoftuar protestë ndaj autoriteteve përgjegjëse për ngjarjen e rëndë.
Dyshimet e para të mjekëve dhe prindërve janë se kjo ka ndodhur nga salmonela, një bakter ky mjaft i rrezikshëm që zakonisht përhapet përmes ushqimit të kontaminuar ose higjienës së dobët.
Nga ana e saj, AKU njoftoi mbrëmë në lidhje me raportimet në media mbi një situatë të ndodhur në Kopshtin Nr. 1 në qytetin e Gramshit, se ka qenë fillimisht NJVKSH (Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor) Gramsh që ka njoftuar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) dhe Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) mbi këtë rast.
“Këto institucione po bashkëpunojnë me strukturat vendore për të garantuar një vlerësim të plotë dhe të kujdesshëm të situatës, deri në zbardhjen dhe konkludim të çdo rezultati”,thuhet në njoftimin e AKU-së.
Kopshti furnizohej me ushqim nga kompania ‘Nelsa shpk’ e cila ka fituar tenderin për furnizimin me ushqim të kopshteve dhe çerdheve në bashkinë Gramsh që prej qershorit 2023.
“Nelsa shpk” ka një histori të gjatë pjesëmarrjeje në tenderë publikë, jo vetëm në Gramsh, por edhe në qytete të tjera dhe institucione shtetërore në Tiranë.
Përveç kopshteve dhe çerdheve, kompania furnizon edhe spitalet dhe burgjet.
Shumë nga këto tenderë kanë marrë sinjale paralajmëruese në sistemin e prokurimeve publike për mungesë transparence, konkurrencë të dobët ose dyshime për parregullsi.
Sipas të dhënave zyrtare, kompania është aktualisht në pronësi të Elsa Kamberit (Balla), ndërsa themelues dhe pronar fillestar është babai i saj, Nexhmi Balla, i njohur në sistemin e drejtësisë shqiptare.
Në vitin 2016, Nexhmi Balla u arrestua së bashku me disa biznesmenë dhe zyrtarë të lartë të burgjeve për një skandal të madh korrupsioni që përfshinte manipulimin e tenderëve për ushqimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve./Versus.al







