
Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin. Në të gjithë vendin, me mijëra besimtarë e kanë nisur mëngjesin duke shkuar në xhami për të falur namazin.
Në Tiranë, bulevardi ''Dëshmorët e Kombit'' u mbush me mijëra besimtarë të cilët falën namazin dhe i uruan njëri tjetrit solidaritet dhe mbarësi. Edhe kreu i KMSH, Bujar Spahiu pati një mesazh për këtë festë të veçantë.
''Ju uroj gëzuar Kurban Bajramin. Dita e solidariteti dhe ndihmës ndaj njëri tjetrit, kjo festë këtë simbolizon. Feja jonë islame na mëson të jem pranë njerëzve në nevojë dhe të lemë në një anë gjërat e këqija dhe të orientohemi te e mira, e bukura. Ta duam njëri-tjetrin për hatër të Zotit dhe të bëjmë punë të mira për shoqërinë, vendin tonë dhe rininë. Kjo botë është kalimtare dhe ta jetojmë siç duhet. Gëzuar Kurban Bajramin anë e mbanë botës dhe duke shpresuar nga zoti që të sjellë paqe e mirësi në ato vende që ka dhe konflikte''- tha Spahiu.
Kjo festë simbolizon ngjalljen e shpresës dhe e optimizmit për të vazhduar me këmbëngulje besnikërinë ndaj Zotit të gjithësisë, se ai është Falës i Madh, Mëshirues i Pakufijshëm”.
Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj.
Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Allahut të flijohet. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojnë këtë festë islame.
Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të Madh konsiston në dy momente: e para, është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit. Mishi ndahet mes pjesëtarëve të familjes, mes miqve dhe i dhurohet të varfërve. Versus.al

