
Sot në GJKKO dhe Gjykatën e Lartë pritet të merren vendime të caktuara për Ilir Metën lidhur me dosjen ku ai është marrë i pandehur me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, të ëmën e saj Fatime Kryemadhi dhe dy bashkëpunëtorët e ish-çiftit, Ema Çoku dhe Pirro Xhixho.
Në 12:30 në GJKKO do të mbahet seanca paraprake ku do të vendoset nëse dosja në ngarkim të 5 të pandehurve do të kalojë apo jo për gjykim. Herën e kaluar seanca u shty për shkak të mungesës së avokatit të Metës, Kujtim Cakranit.
Në të njëjtën orë, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë në dhomë këshillimi rekursin e bërë nga Ilir Meta kundër masës “arrest me burg” nën të cilën mbahet që prej 21 tetorit të vitit 2024.
SPAK më 28 korrik mbylli hetimet për Metën, Kryemadhin dhe 3 të pandehurit e tjerë. Dosja përmban tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Për Metën dhe Kryemadhin akuzat janë të njëjtat: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun. Versus.al
