 
 
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimi të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme, dosjen në ngarkim të shtetasve:
Musa Gjikola
Klodjan Muça
Sokol Masha
Erjon Dani
Emiljano (alias Millan) Roçi
Vilson Roçi
Të pandehurit akuzohen për “Ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, si dhe për Erjon Danin, edhe për “Shpërdorim detyre”.
SPAK njofton se gjatë vitit 2020 të pandehurit kanë kërkuar dhe përfituar shuma prej 4,000 deri 7,500 eurosh, duke pretenduar se mund të ndikojnë në funksionarë të drejtësisë për të favorizuar masa sigurimi dhe dënime për disa të arrestuar.
Hetimet kanë provuar gjithashtu se Erjon Dani, në rolin e zëvendësshef dhe shef për krimet në Komisariatin Nr. 3 Tiranë, shpërdoroi detyrën duke shpërndarë të dhëna të siguruara nga sistemi TIMS tek persona të tretë.
Veprimet e të pandehurve janë koordinuar përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “Sky ECC”, të cilat u administruan nga autoritetet franceze të drejtësisë, me asistencën e Holandës, Belgjikës, Europol dhe Eurojust.
SPAK nënvizon se ky procedim është i ndarë nga rasti i vitit 2023, ku vijojnë hetimet ndaj disa personave të tjerë për trafik droge, ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe grup të strukturuar kriminal.
Ky vendim vjen pas një hetimi ndërkombëtar të koordinuar, që dokumentoi bashkëpunimin dhe përfitimet monetare të kërkuara nga të pandehurit në këto veprime kriminale.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (në vijim Prokuroria e Posaçme) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë kërkesën për gjykim të procedimit penal nr. 177/1 të vitit 2025, në ngarkim të shtetasve:
Musa Gjikola
Klodjan Muça
Sokol Masha
Erjon Dani
Emiljano (alias Millan) Roçi
Vilson Roçi
Të pandehurit akuzohen për konsumimin e elementëve të veprave penale:
“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 dhe neni 25 të Kodit Penal (sipas ndryshimeve të ligjit nr. 144/2013),
si dhe për të pandehurin Erjon Dani, “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode të veçanta, ku kanë kërkuar dhe përfituar shuma monetare që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro, me pretendimin se kishin aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë, me qëllim ndikimin në masa sigurimi personal dhe favorizim në dhënie dënimi ndaj disa të arrestuarve.
Gjithashtu, është provuar se i pandehuri Erjon Dani, në kohën e ngjarjeve me detyrë zëvendësshef komisariati dhe shef për krimet në Komisariatin Nr. 3 Tiranë, ka shpërdoruar detyrën duke shpërndarë tek persona të tretë të dhëna të siguruara nga sistemi TIMS.
Hetimet kanë dokumentuar se të pandehurit kanë bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “Sky ECC”, të cilat janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike ndërkombëtare.
Ky procedim penal është ndarë nga procedimi penal nr. 177 i vitit 2023, për të cilin vijojnë hetimet ndaj disa personave të tjerë nën hetim, të dyshuar për veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “grupit të strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 283/a, 298, 333/a, 334/1 dhe 28/4 të Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme shpreh falënderimet e saj për autoritetet franceze, holandeze dhe belge, si dhe për Eurojust dhe Europol, për bashkëpunimin dhe asistencën e dhënë gjatë këtij hetimi./Versus.al
 
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                       
 
	                        
	                        
	                       