AKTUALITET /

SPAK dhe BKH kontrollojnë "Bolv Oil", dyshohet për evazion fiskal dhe mashtrim

Shkruar nga Versus

SPAK dhe BKH kontrollojnë "Bolv Oil", dyshohet për evazion

Prokurorët dhe oficerët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle mbi aktivitetin e biznesmenit Behar Çukaj i cili zotëron kompaninë “Bolv Oil”. Dyshohet se në 154 raste, Behar Çukaj ka përdorur për transferta e shpenzime financiare dhe pjesëmarrje fiktive në tenderë, kompaninë tjetër hidrokarbure “Olsi Sh.p.k”, që ka emrin e djalit të tij Olsi Çukaj, të cilin, në zgjedhjet e vitit 2017 e kandidoi për deputet në listën e PD

Pronari i grupit “Bol Oil”, Behar Çukaj, rezulton figurë qendrore në dosjen “Bankers”, tashmë nën hetim nga SvPAK, për evazion fiskal, mashtrim me TVSH, kontrabandë karburantesh dhe pastrim qindra milionë eurosh. Hetimet e BKH kanë zbuluar qarkullim fondesh përmes kontratave fiktive me “Bankers”, vjedhje nafte nga depot e Albpetrolit, përdorim kompanish transporti pa licencë dhe investime luksoze në pasuri të paluajtshme, përfshirë kompleksin “Tulipan” në Farkë. Dosja përfshin edhe kompani të tjera të familjes Çukaj, të përdorura për transferta ilegale, bilance false dhe pjesëmarrje fiktive në tenderë, duke e vendosur rastin si një nga skemat më të mëdha të dyshuara të krimit ekonomik në sektorin e hidrokarbureve.

Pronari i grupit “Bolv Oil”, Behar Çukaj, përmes lidhjeve dhe ndikimit te krerë të politikës dhe pushtetit, në segmente të drejtësisë dhe përmes ryshfeteve, i ka shpëtuar ndëshkimit, megjithëse ka qenë disa herë nën hetim gjatë 15 viteve të fundit.

Ndaj tij ka pasur prova për evazion fiskal, mashtrim doganor, mashtrim me TVSH, pastrim parash, kontrabandë karburantesh, bilance false, vjedhje karburanti në depozitat e “Albpetrol” dhe grabitje tokash në Tiranë, me falsifikime dokumentesh pronësie në bashkëpunim.

Emri i biznesmenit Behar Çukaj dhe kompanisë së tij “Bolv Oil” ka dalë sërish për të njëjtat vepra penale në dosjen “Bankers”, tashmë e marrë si çështje nga SPAK, pasi është klasifikuar si grup i strukturuar korrupsioni dhe krimi ekonomik-financiar.

Personazh kryesor dhe tepër aktiv në këtë grup është Behar Çukaj, i cili ka përdorur kompaninë “Bolv Oil” dhe disa biznese të tjera hidrokarbure për të vjedhur shtetin dhe për të pastruar miliona euro përmes falsifikimeve dhe mashtrimeve fiskale.

Për të zbuluar paligjshmëritë e Behar Çukajt, SPAK dhe BKH janë futur në “labirintet e zeza” të aktivitetit të kompanive “Bolv Oil” dhe “Olsi”, gjurmët e të cilave kanë çuar në abuzime të shumta edhe jashtë sektorit të hidrokarbureve, përmes firmave të tjera të tij.

Përveç 10 milionë eurove të qarkulluara nga “Bolv Oil” me dokumente tatimore false, në bashkëpunim me “Bankers”, të konstatuara nga hetimi fillestar i Prokurorisë së Fierit, BKH ka zbuluar edhe 310 milionë euro të tjera, që Behar Çukaj ka fshehur, sërish në bashkëpunim me “Bankers”, përmes kontratave për punë të pakryera, transferta dhe fatura TVSH-je fiktive.

Që prej vitit 2008, kompania “Bankers” kishte kontraktuar kompaninë “Bolv Oil” të Behar Çukajt për kryerjen e transportit të naftës, përmes kompanisë së tij “BOLV TRANS” sh.p.k.

Kjo kompani transporti u krijua në mars 2011, pra tre vite pas lidhjes së kontratës me “Bankers”, dhe u mbyll në dhjetor 2011. Megjithatë, deri në qershor 2025 ajo vazhdonte aktivitetin pa licencë, deklaronte punë të kryera dhe lëshonte fatura TVSH-je, me të cilat i vidhte miliona shtetit.

Gjurmët e milionave të përfituara nga Behar Çukaj e kanë çuar BKH-në te investimi prej 120 milionë eurosh për blerjen e 50 mijë m² tokë të grabitur në Farkë dhe ndërtimin e kompleksit “Tulipan” me vila, disa prej të cilave janë përfituar nga politikanë të korruptuar dhe persona të krimit të organizuar.

Në dosjen hetimore është përfshirë edhe vjedhja e 1.3 milionë litrave naftë nga depozitat shtetërore të “Albpetrol”, për të cilat Behar Çukaj është proceduar në katër raste gjatë viteve 2014–2021, por hetimet janë pushuar nga Prokuroria e Fierit.

Më 17 shtator 2021, Behar Çukaj krijoi firmën “Kolegji Alma Mater Europaea Campus College Rezonanca”, me aktivitet përgatitjen e specialistëve të mjekësisë me studime universitare dhe pasuniversitare në fizioterapi, farmaci, gjinekologji, infermieri, biokimi laboratorike dhe stomatologji. Gjatë një viti aktivitet pa licencë, kjo kompani shërbeu për pastrimin e rreth 60 milionë eurove dhe më pas u mbyll pa bilance.

Sipas raportit hetimor, në 154 raste Behar Çukaj ka përdorur për transferta dhe shpenzime financiare ilegale, si dhe për pjesëmarrje fiktive në tenderë, kompaninë tjetër hidrokarbure “Olsi” sh.p.k., e regjistruar në emër të djalit të tij Olsi Çukaj, të cilin në vitin 2017 e kandidoi për deputet në listën e PD-së.

Pastrim parash dhe transferta milionash, mafiozi Behar Çukaj i “Bolv Oil” ka kryer edhe përmes kompanive të tij “R.C. RIRA”, “INBI”, “SH.R.S.F. OLSI” dhe “B&O Construction”./Pamfleti

Poll