
Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar mëngjesin e sotëm kryerjen e një operacioni në Durrës në zona të cilat njihen si prona të personazheve të krimit të organizuar.
Mësohet se kontrolle janë kryer edhe në Sukth e Shijak për kapjen e Aleksandër Lahos, të njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”, i shpallur në kërkim nga SPAK në 2022-in për pengmarrjen e vëllezërve Beqiraj të cilët rezultonin të përfshirë në një sërë ngjarjes kriminale.
Si pasojë e këtij aksioni, policia ka arrestuar Vullnet Muçën, vëllain e Rrumit të Shijakut. Pak ditë më parë, Muça u procedua penalisht pasi kishte kanosur drejtorin e spitalit të Durrësit, Renis Mullain sepse ky i fundit nuk i kishte futur në punë mbesën.
Sipas burimeve, Rrumi i Shijakut nuk u gjet në banesën e tij dhe as në zonat ku dyshohej se qëndronte duke i konsideruar të sigurta. Laho njihet edhe për faktin se në 2019-ën ka qenë në një makinë me ish-prokurorin Arjan Ndoja në Shkozet të Durrësit, ku ranë pre e një atentati me armë zjarri.
Për këtë ngjarje, të pandehur janë marrë Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe të cilët pasi u ekstraduan nga Dubai, po gjykohen në vendin tonë. Versus.al







