
Gara për postin e drejtuesit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit është shtyrë për më 24 qershor, për shkak të mosplotësimit të dokumentacionit nga pjesa më e madhe e aplikantëve.
Vendimi u mor nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), pasi nga 13 kandidatë të shpallur zyrtarisht, vetëm dy kanë dorëzuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar.
Lista me emrat e aplikantëve u publikua nga SPAK më 10 qershor, mes të cilëve gjenden edhe dy figura të njohura të sistemit të sigurisë dhe drejtësisë shqiptare: ish-drejtorët e Policisë së Shtetit, Gledis Nano dhe Haki Çako.
Ky proces zhvillohet në prag të përfundimit të mandatit pesëvjeçar të drejtueses aktuale të BKH-së, Aida Hajnaj, e cila pritet të qëndrojë në detyrë deri më 31 gusht 2025.
Gara për pasardhësin e saj do të kalojë disa faza testimi dhe vlerësimi profesional nga një komision i posaçëm i ngritur pranë SPAK, i përbërë nga kreu i institucionit Altin Dumani dhe prokurorët Arben Kraja e Behar Dibra.
Pasi përzgjidhet kandidati fitues, emri i tij do t’i propozohet zyrtarisht Këshillit të Lartë të Prokurorisë për emërim.
Emrat e kandidatëve për kreun e BKH-së:
Andi Pogaçe
Artur Beu
Astrit Halilaj
Elton Kërluku
Gentian Ndoi
Gentjan Shehaj
Gledis Nano
Haki Çako
Joni Keta
Maoricio Sheldija
Marinela Pilinçi
Miklovan Kanani
Nevrus Ndregjoni







