AKTUALITET /

Zbulohet minierë litiumi në Gjirokastër, banorët skeptikë për dëmin në mjedis: Çfarë rreziku kemi për shëndetin?

Banorët treguan dyshime dhe kërkuan më shumë transparencë mbi këtë projekt dhe ndikimin e tij në mjedisin ku jetojnë.

Shkruar nga Versus

Zbulohet minierë litiumi në Gjirokastër, banorët

Një depozitim litiumi është zbuluar në fshatin Kolonjë, në rrethin Gjirokastër, ku kompania “Albanian Gold” organizoi sot një dëgjesë me banorët e zonës.

Sipas saj, rezervat nëntokësore kapin rreth 191.920.933 ton mineral, me një përqindje mesatare litiumi prej 235,45 ppm.

Banorët treguan dyshime dhe kërkuan më shumë transparencë mbi këtë projekt dhe ndikimin e tij në mjedisin ku jetojnë.

Igli Frëngu, një nga banorët e fshatit i drejtoi pyetje drejtuesit të kompanësi mbi ndikimin që mund të ketë ky projekt.

“Nga ligji tokë unë nuk përfitoj nga mosha. Gërmimet vazhdojnë 25-30 vite, pasoja më e madhe është te kurrizi im, që kam jetëgjatësinë më të madhe.

Çfarë sigurie do të na jepni për cilësinë e punimeve që do të bëni juve, rrezikshmërinë që ne do të kemi nga punimet që ju do të bëni? I duam transparente dhe të monitoruara. Litiumi nuk njihet në Shqipëri. Këtu nuk jeton as Tirana, as ministria, as kryetari i bashkisë, as bashkia, këtu jetojmë ne. Përhapja e litiumit në sipërfaqe ne duhet ta dimë, ministria duhet të përgjigjet se ju jeni privatë.”-tha ai.

Një tjetër shqetisim u ngrit dhe banori i fshatit Beqir Gjika, dikur ish-kryekomunar i zonës pyeti privatin për garancitë e projektit.

“Na duhet kohë për të marrë vendim për këtë projekt. A çlirohen gazra, a është i dëmshëm apo jo? Ju thatë që e keni mbyllur çdo gjë dhe ju kam marrë këtu të flisni. Ju nuk keni mbyllur asgjë pa folur ne këtu, pa folur fshati. “-u shpreh Gjika.

Edhe Bashkia Gjirokastër, me përfaqësuar nga sekretari i përgjithshëm Nertil Nebiaj, kërkoi sqarime për Vendimin e Ndikimit në Mjedis (VNM).

Nebiaj, pyeti për Vendimin e Ndikimit në Mjedis, nëse kompania e kishte apo jo.

“Duhet transparencë, jemi pro projektit por duhet transparencë. Ne akoma nuk dimë a është miratuar VNM-ja në bazë të VKM-ve për këtë projekt.”-tha ai.

Kompania Albanian Gold thotë se ka bërë shpime për 4 vitet e fundit në këtë zonë, ku ka rezultuar se është gjetur një rezervë shumëmilionëshe litiumi.

Në këtë zonë, kompania kërkon të marrë 09 km katrorë për ta shfrytëzuar. Peizazhi i kësaj zone është i njohur në të gjithë krahinën e Kurveleshit, ndërsa toka ku mendohet se ndodhet litiumin deri më tani është përdorur nga banorët që jetojnë në zonë dhe merren me blegtori.

Poll