
Kryedemokrati Sali Berisha është thirrur sot për t’u paraqitur në SPAK në orën 09:00 për vrasjet e 4 protestuesve më 21 janar 2011. Berisha do të pyetet nga prokurorët e posaçëm si person në dijeni duke qenë se atë ditë si kryeministër ndodhej në zyrën e tij në godinën e qeverisë ku edhe u zhvillua protesta masive.
Kjo është thirrja e tretë që SPAK i ka drejtuar Berishës për t’u paraqitur ndërsa dy herët e para, kreu i PD pretendoi se nuk ishte njoftuar. Herën e tretë fletëthirrja iu dorëzua gjatë kohës që ai u paraqit në SPAK për masën e sigurisë lidhur me aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani.
Berisha deklaroi dje se do të paraqitet për të bërë gjyqin publik të Ramës të cilin e akuzon si organizatorin e asaj që e ka quajtur “protesta më e dhunshme” në historinë e vendit.
Për 21 janarin ka dhënë dëshminë më herët edhe ish-kryedemokrati Lulzim Basha i cili asokohe ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm në qeverinë e Berishës. Ai nuk dha detaje para mediave, por fill pas thirrjes së tij, pati edhe një thirrje për Berishën.
Më 21 janar 2011 në protestën e organizuar nga PS, pati katër persona të vrarë, Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Për ngjarjen e rëndë asokohe u dënuan me 1-3 vite burg, ish-gardistët Ndrea Prendi e Agim Lupo. Në mars të 2024-ës, Gjykata e Strasburgut urdhëroi SPAK që të zbardhte rolin e Berishës dhe drejtuesve të tjerë në ngjarjen e rëndë që e quajti “krim shtetëror”. Versus.al
