AKTUALITET /

“Të hiqet dënimi për prostitucionin”, Rakipi: ‘Profesion’ i përhapur në masë, i padobishëm penalizimi

Rakipi i cili është drejtuesi i grupit që hartoi draftin, tha se janë përqendruar në depenalizimin e disa veprave që janë të dënueshme në kodin aktual penal.

Shkruar nga Versus
“Të hiqet dënimi për prostitucionin”, Rakipi:
Arben Rakipi

Drejtuesi i shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi i cili është njëkohësisht drejtuesi i grupit të punës që ka hartuar draftin e kodit të ri penal, gjatë tryezës së parë të konsultimit publik ka shtruar për diskutim disa pika që lidhen me depenalizimin e veprave të cilat kodi aktual i dënon me burg.

Mes këtyre veprave, ai përmendi ushtrimin e prostitucionit, duke marrë si shembull Italinë dhe Francën ku nuk ka dënim dhe nuk konsiderohet si vepër penale. Sipas Rakipit, kjo vepër penale tashmë ka marrë përkrahje të gjerë dhe demonstrohet haptasi në rrjetet sociale edhe tek të miturit.

Ai tha se është e padobishme që prostitucioni të konsiderohet vepër penale.

“Projekti synon depenalizimin. Nuk e di kur do te ndodhë sepse lidhet me masat e ligjeve të tjera. Të depenalizohet ushtrimi i këtij profesioni. Për fat të keq duhet të përdor termin profesion. Kodi penal dhe kodi francez nuk e dënon ushtrimin e profesionit. Propozimi ynë nuk është për shkaqe ngjashmërie me çfarë ndodh në Evropë sepse kjo për mua nuk do të mjaftonte, do të ishte shprehje e plagjiaturës. Unë mendoj se terreni shqiptar nuk mbahet më me lëndë penale, sidomos në këtë fushë. Ky lloj profesioni ka marrë përkrahje të gjerë që demonstrohet haptasi edhe nga influencerët e jetës të të miturve apo të tjerëve në vend. Për rrjedhojë lënda penale tashmë është e padobishme. Këtu jemi bazuar për të bërë propozimin tonë”- deklaroi Rakipi.

Në hyrje të fjalës së tij, Rakipi u përqendrua tek nevoja për një diskutim sa më të gjerë të propozimeve për draftin e kodit të ri penal duke e cilësuar konsultimin publik si një “test” për të parë nëse reflektimet e grupit të punës, mbështeten nga qytetarët.

“Depenalizimi i veprave është një çështje mjaft e rëndësishme dhe kërkon një opinion të gjerë. Shpifja, na del si një gjë e rëndësishme për t’u diskutuar. Depenalizimi i veprave nuk është proces thjesht politik. Nevoja është që deri tek procesi i të votuarit, elementët ligjorë që përfshihen në këtë proces të mos neglizhohen. Kemi menduar në shumicën tonë dërrmuese që këto vepra duhet të jenë të tilla, të penalizohen, por konsultimi publik mund të jetë një test në mënyrë që të verifikohet nëse ky penalizim është i drejtë apo jo. këtu nuk bëhet fjalë për sondazhe të rreme, por sondazh real që do të japë opnion të caktuar nëse ia vlen të penalizohet për shembull bigamia, apo konsumi i alkoolit në publik? Ka çështje të tjera që duam t’i depenalizojmë si eutanazia dhe prostiticioni. Nuk jam ekspert i sondazheve dhe statistikës, por mendoj se kontakti me një grup të gjerë njerëzish çon në rezultate më të besueshme. Të njëjtën gjë do të them edhe për dënimin, masën e tij në përgjithësi”- u shpreh drejtori i shkollës së Magjistraturës. Versus.al

Poll