Pasi ka kaluar një ditë nga ngjarja e ndodhur brenda ambienteve të klubit ‘Cinco Cavalli’ në kryeqytet ku pati të shtëna me armë zjarri, policia ka dalë me njoftim zyrtar.
Më herët Versus.al publikoi videon duke raportuar se pavarësisht të shtënave me armë zjarri gjatë performancës së reperit Stresi dhe panikut të krijuar mes mijëra të pranishmve, nuk kishte reagim zyrtar nga blutë.
Në njoftimin e shpërndarë bëhet me dije se janë marrë në pyetje disa persona për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes, ndërsa autori i të shtënave me armë zjarri ende nuk është kapur. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.
Reagimi i plotë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, pas njoftimit të marrë për të shtëna me armë në një ambient festiv në rrugën “Liman Kaba” me datë 01.01.2024, në orët e para të mëngjesit, menjëherë kanë organizuar punën me qëllim identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve intensive shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, shoqëruan dhe pyetën në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen shumë shtetas të cilët dhanë deklaratën e tyre në lidhje me ngjarjen.
Po në vijim të veprimeve si rezultat dhe i këqyrjes së kamërave, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër. Për arsye se hetimi vijon nuk bëjmë me dije gjeneralitet e tij. Nga ngjarja nuk ka pasur asnjë person të lënduar.
Komisariati i Policisë Nr.2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit po punojnë për dokumentimin e plotë e ngjarjes si dhe për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorit të dyshuar. Versus.al








