Një ngjarje tronditëse ka goditur qytetin e Maliqit dhe ka lënë pa fjalë mbarë opinionin publik. Një nënë dhe djali i saj 14-vjeçar kanë humbur jetën, ndërsa vajza e vogël, vetëm 6 vjeç, ndodhet në gjendje kritike, pas një zjarri shkatërrues që përfshiu banesën e tyre mesditën e sotme.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13:30, në bllokun nr. 3 të qytetit të Maliqit, në banesën e shtetasit V. A.. Zjarri i furishëm i ka zënë në befasi familjarët, duke mos u lënë kohë për të shpëtuar.
Merjeme Azizllari, nëna e dy fëmijëve, ndërroi jetë si pasojë e asfiksisë, brenda në shtëpi, mes flakëve dhe tymit që mbuloi gjithçka. Pavarësisht përpjekjeve të shpejta për t’i shpëtuar jetën, edhe djali i saj, 14-vjeçari L. Azizllari, u nda nga jeta më vonë në spital, për shkak të dëmtimeve të rënda.
Ndërkohë, vajza e vogël 6-vjeçare po lufton mes jetës dhe vdekjes, nën përkujdesjen e mjekëve në Spitalin Rajonal të Korçës, me djegie të rënda në trup.
Zjarri është vënë nën kontroll nga forcat zjarrfikëse, ndërsa policia dhe grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë intensivisht për të përcaktuar shkaqet e tragjedisë, që në pak minuta shkatërroi një familje të tërë.
Shkaku i rënies së zjarrit ende mbetet i paqartë, por banorët e zonës janë të shokuar nga ajo që ndodhi në zemër të ditës së diel, në një lagje të qetë që u kthye papritur në skenë tragjedie.







