Kryeqyteti sot do të jetë nën masa të rrepta sigurie në kuadër të përgatitjeve për mbarëvajtjen e ndeshjes ‘Shqipëri-Serbi’ të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.
Rreth 2 mijë forca policie, mes të cilave edhe Antiterrori, Operacionalja dhe “RENEA” do të jenë të angazhuar në terren për të shmangur çdo lloj incidenti të mundshëm. Qarkullimi në zonat përreth stadiumit do të jetë i bllokuar që prej orës 15:00 e deri në përfundimin e ndeshjes dhe shpërndarjes së tifozëve.
Në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit”, rruga George Bush, rruga e Elbasanit dhe rrugët e tjera hyrëse drejt stadiumit, do të jenë të pakalueshme për automjetet.
Tifozët do të duhet të paraqiten në stadium që në orën 18:00 për t’ju nënshtruar kontrolleve të imtëësishme, ndërsa janë marrë edhe masa për sisteme antidron në mënyrë që të parandalohet ndonjë ngjarje e ngjashme me ngritjen e dronit në Beograd në 2014-ën.
Për çdo shkelje, policia ka paralajmëruar gjoba nga 50 deri në 100 mijë lekë që përshkallëzohen deri në dënim me burg. Ditën e djeshme, i gjithë hoteli ku po qëndrojnë aktualisht lojtarët serbë, u mor nën mbikëqyrjen e policisë dhe në momentin e daljes së tyre, rrugët përreth do të bllokohen për një interval kohor prej 25 minutash.
Akset rrugore që preken:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”,
rruga “Papa Gjon Pali i II”,
rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së,
rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së,
rruga “Themistokli Gërmenji”,
rruga “Gjergj Filipi”,
rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi,
rruga “Faik Konica”
rruga “Skerdilajd Llagami”.
Parkimi i autobusëve me tifozë vendas që vijnë nga Korça dhe Elbasani, do të bëhet në parkingun e lokal “Kalvin”, ndërsa autoveturat te terminali pranë qytetit “Studenti”.
Parkimi i autobusëve që vijnë nga veriu dhe jugu, do të bëhet në parkimin “Terminali i përpunimit të automjeteve” pranë mbikalimit të Kamzës, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, në parkingun nëntokësor në sheshin “Skënderbej”, si dhe në parkingun nëntokësor në “Bulevardin e Ri”, te ish-stacioni i trenit.
Rruga nga hoteli ku është akomoduar ekipi i futbollit të Serbisë që ndodhet në bulevardin “Gjergj Fishta”, deri në drejtim të stadiumit “Arena Kombëtare”, përmes bulevardit “Bajram Curri”, pasditen e sotme në orën 16:30 dhe ditën e nesërme në orën 18:45, do ketë kufizime të pjesëshme deri ne 25 minuta në momentin që do eskortohet ekipi për në stadium për stërvitje mbasditen e sotme dhe nesër për të zhvilluar ndeshjen. Versus.al







