Krimi i rëndë i ndodhur të hënën në gjykatën e Tiranës, ku u vra me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja, ka sjellë disa incidente nëpër gjykata gjatë kësaj jave.
Sot në Fier, në gjykatën e Shkallës së parë, një i moshuar 75 vjeçar ka kërcënuar dhe fyer kryesekretaren e institucionit për shkak të seancës gjyqësore. Policia në njoftimin e bërë, njofton se Vladimir Hamzai po hetohet në gjendje të lirë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. H., 75 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se për shkak të shtyrjes së një seance gjyqësore, ka kanosur dhe fyer Kryesekretaren e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.”, njofton policia.
Ditën e djeshme u shënuan dy përplasje brenda gjykatave të vendit, një në Apelin e Tiranës ku një qytetar i identifikuar si Gentian Mali kërcënoi se do t’i vriste të gjithë teksa priste për gjyqin e vëllait të tij.
Ndërsa një tjetër rast u shënua në Vlorë ku u arrestua Redi Llanaj, avokati i Monika Kryemadhit për shkak se kishte debatuar me rojen e sigurisë të cilin e kishte goditur me grusht. Versus.al







