Pas disa ditësh hetimesh intensive, policia italiane ka arrestuar një 21-vjeçar, të dyshuar si autori i vrasjes me thikë të shqiptarit Hekuran Cumani, 23 vjeç, ngjarje që tronditi qytetin e Peruxhias natën midis 17 dhe 18 tetorit.
Cumani, banues në Fabriano, humbi jetën pasi u godit me thikë gjatë një përleshjeje të dhunshme që ndodhi në parkingun përballë Departamentit të Matematikës dhe Shkencave Kompjuterike të Universitetit të Peruxhias.
Arrestimi i 21-vjeçarit, që ishte nën hetim prej ditësh, u bë me urdhër të gjyqtarit të hetimeve paraprake, me kërkesë të prokurorit publik të qytetit. Sipas autoriteteve, provat e grumbulluara, përfshirë pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e të pranishmëve, e lidhin të riun me momentin e përleshjes fatale.
Mbrëmjen e tragjedisë, Cumani, vëllai i tij dhe disa miq kishin shkuar nga Fabriano në Peruxhia për të kaluar natën në një klub nate në zonën universitare. Brenda lokalit pati tensione mes dy grupeve të të rinjve, që më vonë u përplasën jashtë. Në parking ndodhi sulmi me thikë, që i mori jetën menjëherë 23-vjeçarit shqiptar, ndërsa vëllai i tij mbeti i plagosur.
Vetëm disa ditë më parë, autoritetet kishin ndaluar edhe një 18-vjeçar me origjinë marokene, të dyshuar si i përfshirë në përleshje. Ai kishte precedentë penalë për kërcënime dhe mbajtje të armëve të ftohta, si dhe për sulm ndaj rojeve të sigurisë në një tjetër lokal të Peruxhias.
Ngjarja ka shkaktuar zemërim dhe tronditje në komunitetin shqiptar në Itali. Gjatë ceremonisë mortore në Fabriano, famullitari i Katedrales së San Venanzio u shpreh me dhimbje: “Vdekja e Hekuranit na goditi me pakuptimësinë që mbart. Marrja e një jete është humbja më e madhe e vlerave njerëzore dhe të krishtera.”
Hetimet vijojnë për të zbardhur tërësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të konfirmuar rolin e secilit në vrasjen brutale të 23-vjeçarit shqiptar, që tashmë ka marrë drejtim të ri me arrestimin e autorit të dyshuar kryesor.
