AKTUALITET /

Transferonte oficerët në mënyrë të paligjshme, pezullohet nga detyra drejtori i përgjithshëm i AMP

Shkruar nga Versus
Transferonte oficerët në mënyrë të paligjshme,
Florian Sulejmani, drejtori i pezulluar i AMP

Florian Sulejmani drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, është pezulluar nga detyra me kërkesë të prokurorisë së Beratit.

Siç raportohet në njoftimin e publikuar nga AMP, ndaj Sulajmanit ka nisur një hetim nën dyshimin se ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Dyshohet se drejtori i AMP ka transferuar në mënyrë të paligjshme disa oficerë të policisë gjyqësore.

“Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat u caktua masa e sigurimit ‘Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ për shtetasin F.S., me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Kjo masë u mor në kuadër të procedimit penal nr.613/1 të vitit 2025, të regjistruar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Nga rrethanat e faktit dhe tërësia e akteve të administruara deri në këtë fazë të hetimit, u çmua se plotësohen kushtet dhe kriteret e përgjithshme dhe të veçanta për caktimin e masave të sigurimit personal me karakter ndalues të parashikuara në nenet 228, 229 dhe 242 të K.Pr.Penale.

Në çmuarjen e prokurorisë dhe konfirmimin e gjykatës, ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova, se nga ana e personit nën hetim janë transferuar oficerët e policisë gjyqësore në kundërshtim të plotë me nenin 10 pika, pika 1, shkronja “c” dhe nenin 22 të Ligjit nr.25/2019 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Policisë Gjyqësore”, dhe nenin 62 pika 5, të të Ligjit Nr. 128/2021 ‘’Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore’’.

Po kështu, ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës. Masa sigurimit është e përshtatshme me nevojën e sigurimit. Gjithashtu, kjo masë ndaluese garanton një raport të drejtë midis rëndësisë së faktit dhe sanksionit që parashikohet për veprën penale konkrete me llojin e masës së sigurimit”- njofton AMP.

Sulejmani mori detyrën e drejtorit të përgjithshëm të AMP në nëntor të vitit 2023. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: