AKTUALITET /

Tre vite burg për 'parkim dysh'? Zbardhen detajet, ja rastet kur policia nis procedimin penal për shoferët

Shkruar nga Versus

Tre vite burg për 'parkim dysh'? Zbardhen detajet, ja rastet kur

Ditë më parë drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Ilir Proda shkaktoi shumë reagime në rrjet pas deklaratës së bërë mbi parkimin “dysh” ku u shpreh se do të konsiderohet vepër penale.

Kjo deklaratë shkaktoi sa reagime aq edhe paqartësi lidhur me mënyrën sesi do të veprohet në raste kur drejtuesi i automjetit kapet në një rast të tillë. Mësohet se “parkimi dysh” do të konsiderohet vepër penale në disa raste të mirëpërcaktuara kur:

-Pengon qartazi dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë lëvizjen e automjeteve të emergjencës si ambulanca, zjarrfikëse, mjetet e policisë apo shërbime të tjera të institucioneve.

-Bllokon tërësisht rrugën, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve të tjera.

-Shkakton bllokim total të rrugës për këmbësorët, duke u bërë pengesë serioze për sigurinë publike.

Nëse shoferët e mjeteve kapen në raste të tilla, policia nuk do të mjaftohet vetëm me gjobë, por do të nisë edhe procedurat për ndjekje penale sipas nenit 293 të Kodit Penal, që parashikon:

“Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit, vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor apo ajror, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.”

Nëse polici rrugor do të konstatojë një rast të tillë që ka kryer shkeljet e mësipërme, ai do ta referojë rastin në prokurori dhe më pas organi i akuzës do të shqyrtojë pamjet filmike, dëshmitë dhe provat e tjera për të vendosur nëse shoferi duhet të ndiqet penalisht. Pra për çdo rast duhet të ketë prova dhe rrethana konkrete për të ngritur akuzë penale ndaj shoferëve.

Në rastet e zakonshme të këtyre parkimeve kur nuk ka pasoja të rënda për qarkullimin apo sigurinë, policia do të vijojë me gjobat nga 1 mijë deri në 3 mijë lekë si dhe vendosjen e bllokuesve të gomave apo heqjen me karrotrec. Sqarojmë se "parkim i dyfishtë" janë rastet kur krahas një makine të parkuar në një anë të rrugës ku lejohet, parkohet edhe një tjetër makinë duke bllokuar njërën korsi të qarkullimit. Versus.al

Poll