Ish-drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Gledis Nano ka fituar edhe gjyqin në Apel me qeverinë shqiptare. Gjykata ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë duke e cilësuar të paligjshëm shkarkimin e tij nga detyra.
Vendimi është marrë nga gjyqtarët Ardian Dvorani (relator) dhe anëtarët Gentian Hamiti e Sokol Ibi të cilët rrëzuan ankimin e qeverisë që kërkonte prishjen e vendimit që i dha të drejtë ish-kreut të policisë.
Tashmë shteti duhet t’i paguajë Nanos 60 paga mujore për 5 vite, rreth 100 mijë euro për aq sa e përcakton mandati i ndërprerë më 31 gusht 2022 pasi Rama e shkarkoi me argumentin se nuk kishte përmbushur objektivat.
Shkarkimi erdhi me propozim të ish-Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi ndërsa kryeministri Rama ka pohuar publikisht se i kishte kërkuar dorëheqjen ish-kryepolicit Nano. Nuk dihet ende nëse qeveria do dorëzojë rekurs në gjykatën e lartë brenda afatit 30 ditor, ndërsa vendimi i Apelit është marrë më 26 qershor. Ndërkohë, Gledis Nano është kualifikuar nga komisioni i SPAK për në fazën e dytë të garës për kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Versus.al







