AKTUALITET /

Veliaj pas seancës në Administrative: “Transparenca u pengua nga KLP-ja dhe Prokuroria”

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas seancës së zhvilluar një ditë më parë në Gjykatën Administrative, ku nuk u lejua transmetimi live i procesit. Veliaj akuzon për mungesë transparence dhe ngre dyshime për shkelje të rënda institucionale.

Shkruar nga Versus

Veliaj pas seancës në Administrative: “Transparenca u pengua nga

Nëpërmjet një reagimi publik në rrjetet sociale, Erion Veliaj ka komentuar zhvillimet e seancës administrative ku ai është palë paditëse ndaj prokurorit Ols Dado dhe institucioneve të tjera.

Sipas Veliajt, gjatë seancës u bë e qartë ndarja mes atyre që kërkonin transparencë dhe shqyrtim të plotë të çështjes dhe atyre që, sipas tij, synonin “errësirë dhe mbyllje sa më të shpejtë të procesit”.

Ai kritikoi vendimin e gjykatës për të ndaluar transmetimin live të seancës, edhe pse mediat kishin instaluar kamerat dhe transmetimi kishte nisur. Sipas tij, vendimi u mbështet në një udhëzim administrativ të Këshillit të Lartë Gjyqësor, në kundërshtim me standardet kushtetuese të transparencës në gjykim.

Në deklaratën e tij, Veliaj thekson se kundër pranisë së kamerave në sallë u pozicionuan prokurori Ols Dado dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ai citon argumentin e Dados se transmetimi live mund të dëmtonte imazhin dhe karrierën e magjistratit, duke shtuar se pikërisht kjo e bën të domosdoshëm kontrollin publik.

“Në një shtet demokratik, karriera e një prokurori nuk mbrohet duke shmangur kontrollin publik mbi ligjshmërinë e mandatit të tij, por duke provuar publikisht se ai mandat është fituar në përputhje me ligjin”, shprehet Veliaj.

Më tej, ai pretendon se gjatë seancës dolën në pah edhe probleme të tjera institucionale. Sipas tij, nga provat e paraqitura rezultoi se Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ka marrë asnjë vendim kolegjial për çështjet e ngritura prej tij, ndërsa pretendon se nënkryetari i institucionit ka penguar shqyrtimin e tyre në organin përkatës.

Veliaj shton gjithashtu se përfaqësuesja e KLP-së ka tejkaluar autorizimin institucional duke mbajtur qëndrime për çështje mbi të cilat institucioni nuk është shprehur zyrtarisht.

Në fund të reagimit, ai rithekson se beteja ligjore do të vazhdojë deri në fund, duke e konsideruar çështjen si një test për besueshmërinë e shtetit të së drejtës dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.

“Askush nuk bëhet prokuror i Republikës së Shqipërisë përmes heshtjes institucionale, kalimit të kohës apo shmangies së kontrollit publik dhe gjyqësor. Nëse kriteret ligjore nuk janë përmbushur, pavlefshmëria absolute nuk shërohet me kalimin e viteve”, deklaron Veliaj.

 

Poll