
Në dosjen voluminoze të bërë nga antimafia italiane kanë dalë në dritë të tjera detaje.
Nëse operacioni “Ura” ishte një rrjetë që kapte peshqit e mëdhenj të trafikut të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë, atëherë një nga emrat që mbeti i ngatërruar keq në këtë rrjetë është ai i Redi Tushës.
Redi Tusha nuk është emër i zakonshëm në listat e të kërkurave. Ai është vëllai i Ervis Tushës, truprojës personale të Sali Berishës, liderit historik të Partisë Demokratike.
Trafikanti me Range Rover
Sipas dosjes voluminoze të SPAK, roli i Redi Tushës në këtë organizatë kriminale ka qenë thelbësor: furnizimi dhe dërgimi i heroinës nga Shqipëria në Itali. Nga përgjimet të kryera ndaj Erigels Presit, Genci Telollarit dhe Gerti Aliut – figura kyçe në këtë organizatë – del qartë se Tusha kishte kontakt të drejtpërdrejtë me Gerti Aliun, ndërmjetësuesin mes bandave shqiptare dhe atyre italiane.
Pikërisht në një nga këto përgjime të datës 14 tetor 2021, Telollari i kërkon konfirmim Presit nëse personi që kishte parë në video-telefonatë me Gertiun quhej “Redi Tusha”. Identiteti i tij u konfirmua pak ditë më pas, më 11 nëntor 2021, kur ai u takua kokë më kokë me Presin dhe Telollarin në Bari, në një parking të qendrës tregtare “Mongolfiera”. Në atë takim, Tusha përdorte një Range Rover me targë shqiptare – një detaj që u dokumentua dhe konfirmua nga TIMS dhe dosja e imbarkimit të tragetit “Golden Bridge”.
Pjesë e dosjes së prokurorisë janë edhe një sërë provash konkrete që konfirmojnë pjesëmarrjen fizike të Redi Tushës në takimin në Bari. Jo vetëm që makina e tij është identifikuar, por emri i tij shfaqet edhe në listën e pasagjerëve që kaluar natën nga Bari në Durrës. Verifikimi në sistemin TIMS dhe rezervimi i tragetit tregojnë qartë: Redi Tusha ka hyrë në Itali më 28 tetor 2021 dhe është kthyer më 12 nëntor, pikërisht një ditë pas takimit të dyshimtë në Bari. Versus.al







