Rreth 5 muaj pasi Gjykata e Posaçme e shpalli të pafajshëm ish-gjyqtarin Shkëlzen Selimi, edhe Gjykata e Strasburgut i ka dhënë të drejtë këtij të fundit duke rrëzuar vendimin e Vettingut në Shqipëri që e shkarkoi nga sistemi i drejtësisë për kontakte të papërshtatshme me njerëz të botës së krimit.
Asokohe gjetjet e vëzhguesit ndërkombëtar ONM zbuluan se gjyqtari kishte kontakt të drejtëpërdrejtë me A.I për të cilin dyshohej se kishte ndërhyrë në vitin 2015 për të ndaluar ekstradimin e tij në Itali. Ky person rezultonte i dënuar për grup kriminal dhe trafik kokaine.
Në argumentin e dhënë në raportin e gjatë të gjykatës së Strasburgut thuhet se gjyqtari Shkëlzen Selimi nuk ishte informar mjaftueshëm për akuzat konkrete kundër tij dhe se organet e vettingut nuk kishin zbuluar detaje thelbësore të provave sekrete që pretendonin se ai kishte kontakte të papërshtatshme me A.I. (person i përfshirë në krimin e organizuar) dhe se kishte ushtruar korrupsion pasiv dhe ndikim të paligjshëm për të penguar ekstradimin e tij”.
Sipas tyre shkelja kryesore është tek mungesa e paraqitjes së provave sekrete para Selimit duke e pamundësuar që ky i fundit të mbronte veten ndaj akuzave për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
"Gjykata konstatoi shkelje të nenit 6/1 të Konventës (e drejta për proces të drejtë) sepse IQC dhe SAC mbështetën shkarkimin e Selimit në dokumente të klasifikuara dhe raporte nga ONM dhe CISD që nuk iu treguan atij, duke e lënë praktikisht të pamundur që ai të mbrojë veten ndaj akuzave serioze për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
GJEDNJ vendosi se kufizimi i aksesit të Selimit në provat kundër tij shkeli thelbin e të drejtave të tij procedurale – edhe pse organet e vettingut kishin akses të plotë në dokumentet sekrete, mungesa e masave kompensatore (si zbulimi i përmbledhjes së fakteve thelbësore, seancat ex parte me përfaqësues special, apo redaktimi i informacionit sensitiv) e bëri procesin të padrejtë në rrethana të këtij rasti specific”- thuhet mes të tjerash në vendimin e Gjykatës së Strasburgut.
Në tetor të vitit 2022, SPAK çoipër gjykim dosjen ndaj ish-gjyqtarit duke e akuzuar këtë të fundit për fshehje pasurie, por GJKKO vendosi të shpallte të pafajshëm Selimin me argumentin se nuk ekziston fakt për kryerjen e veprës penale. Versus.al
