Tiranë- Pamje të pazakonta janë shënuar pasditen e sotme përballë Piramidës, pak metra poshtë godinës së kryeministrisë në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Disa të rinj që udhëtonin me një automjet luksoz tip ‘’Audi’’ me targa angleze, u ndaluan në mes të rrugës nga policë të maskuar si civilë të cilët dukeshin se kishin veshur jelekë antiplumb. Dhjetëra qytetarë që po kalonin pranë, mbetën të habitur nga mënyra sesi policia Operacionale ndërhyri për të bërë të mundur arrestimin e të rinjve.
Mësohet se tre prej tyre janë prangosur. Një i pranishëm që filmoi pamjet, shkruan për JOQ: “Sot përballë Piramidës. Nuk e di kush janë personat e arrestuar, por pilicat ishin nga forcat Operacionale”
Burime nga Policia bëjnë me dije se gjithçka lidhet me një kontroll rutinë dhe të rinjtë u shoqëruan thjeshtë për verifikim.
Pamjet e ndërhyrjes lanë të habitur mbarë qytetarët, të cilët në një moment menduan nëse është vërtetë aksion, apo në bulevardin kryesor të Tiranës ishte duke u regjistruar një skenë filmi. Versus.al







