AKTUALITET /

VIDEO/ Shkoza në krizë uji prej dy javësh, banorët: Askush nuk na dëgjon! Na thonë lutjuni Zotit!

Kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt te qindra familje që tashmë jetojnë në kushte të rënda higjieno-sanitare, në një periudhë kur temperaturat ditore kalojnë 40°C.

Shkruar nga Versus
VIDEO/ Shkoza në krizë uji prej dy javësh, banorët: Askush
Foto montazh: Pamje nga denoncimi, Anduela Ristani

Prej më shumë se dy javësh, banorët e lagjes “Idriz Seferi” dhe zonës së Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë, Tiranë, po përballen me mungesë të plotë të ujit të pijshëm.

Sipas denoncimeve të qytetarëve për “JOQ”, furnizimi me ujë është ndërprerë pa asnjë paralajmërim apo njoftim zyrtar nga institucionet përgjegjëse. Përpjekjet për të kontaktuar Ujësjellësin e Tiranës kanë rezultuar të pasuksesshme, ndërkohë që zgjidhje konkrete nuk është ofruar.

Kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt te qindra familje që tashmë jetojnë në kushte të rënda higjieno-sanitare, në një periudhë kur temperaturat ditore kalojnë 40°C.

Banorët thonë se janë detyruar të marrin ujë me kova nga pompat e zonave të tjera, duke pritur me orë të tëra në radhë. Më të prekurit janë fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore, të cilët po përballen me vështirësi të mëdha për përballimin e situatës.

Denoncimi 1:

Pershendetje! Jam banor i lagjes Idris Seferi në Shkoze Tiran! Dua t’ju bëj me dije shqetësimin tim të lidhur me mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm në zonën tonë prej 2 javësh, pa asnjë njoftim zyrtar apo sqarim nga ana e institucionit. Jane marr çdo dite ne telefon dhe shprehja e tyre eshte, lutjuni zotit se do te vije uji. Kjo situatë po shkakton vështirësi serioze në jetesën tonë të përditshme, duke ndikuar në higjienën, shëndetin dhe mirëqenien e familjeve të tëra. Për më tepër, në këtë periudhë të verës, mungesa e ujit është edhe më problematike për shkak të temperaturave të larta. Është e papranueshme që në vitin 2025, banorët të detyrohen të jetojnë pa një shërbim bazë jetik siç është uji. Jo vetëm që nuk kemi asnjë lajmërim zyrtar apo komunikim por edhe kontaktet me institucionin. Janë bërë të pamundura – thirrje pa përgjigje dhe asnjë informacion zyrtar. Po jetojmë në kushte të papërshtatshme për higjienë, familjet kanë fëmijë të vegjël, të moshuar, të sëmurë – dhe askush nuk mban përgjegjësi. Ju lutem bëjeni publike qe të merret parasysh me urgjencë dhe të ndërmerren masa për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me ujë, si dhe të jepet një sqarim zyrtar për shkaqet e kësaj ndërprerjeje të gjatë. Faleminderit! 450 familje asnje pik uje dhe pompa ndezur Me kova kemi qendruar duke mbushur here tek njeri here tek tjetri

Denoncimi 2:

Pershendetje Joq . Ju shkruaj per nje shqetesim ne Tirane ne lagjen shkoze uzina autotraktori . Kemi me shume se 10 dite pa uje ne shtepi . Eshte 40 grad dhe ne kemi 10 dite pa u lare dhe pa kryer nevojat tona normalisht . I marrim vazhdimisht ujesjellsit ne Tirane dhe vetem thone do rregullohet por ne nuk shofim askend duke u marr me ujin. Ju lutem postojeni sepse nuk eshte normale ne 40 grad te mos kemi uje ne lagjet e Tiranes. Faleminderit!

Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për të rikthyer furnizimin me ujë, si dhe një deklaratë zyrtare që të sqarojë arsyet e kësaj ndërprerjeje të pazakontë.

“Nuk është normale që në vitin 2025, në kryeqytet, të jetojmë pa një shërbim bazë jetik si uji i pijshëm,” shprehen ata të indinjuar, duke e cilësuar situatën si një neglizhencë të pafalshme institucionale.

Banorët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të mos heshtin më, por të marrin masa konkrete për të zgjidhur një problem që po rrezikon seriozisht shëndetin dhe jetesën e tyre të përditshme.

Poll