
Vlora është futur sërish në fokusin e Policisë, pas një vale ngjarjesh që kanë tronditur rendin publik ditët e fundit. Forcat Operacionale, FNSH-ja dhe efektivët e Komisariatit të Vlorës kanë zbarkuar në disa zona kyçe të qytetit, duke zhvilluar kontrolle të befasishme dhe të përqendruara.
Burime zyrtare konfirmojnë se masat janë përforcuar ndjeshëm, me synim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe garantimin e sigurisë qytetare. Kontrollet janë përqendruar te drejtuesit e automjeteve luksoze, personat me precedentë penalë, si dhe te ata që dyshohet se mbajnë armë të ftohta ose qarkullojnë nën efektin e pijeve alkoolike.
Në terren po kryhen edhe verifikime të imta të dokumentacionit dhe të rregullave të qarkullimit rrugor, ndërsa burime nga policia theksojnë se operacionet do të vijojnë pa ndërprerje edhe në ditët në vijim.
Sipas të njëjtave burime, fokusi do të jetë monitorimi i akseve kryesore dhe zonave të frekuentuara, për të parandaluar çdo tentativë kriminale dhe për të siguruar rend, qetësi dhe besim publik në qytetin bregdetar.
