
Kristjan Cenaj, 32 vjeçari i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen dhe groposjen e Mariglen Gjonajt në 2016-ën, ka folur sot për herë të parë në emisionin ‘Me Zemër të Hapur’.
Teksa tha se me viktimën ishte rritur në të njëjtën lagje, Cenaj nga burgu ku po qëndron përshkroi itinerarin e përshkruar nga ai dhe 16 vjeçari asokohe para se adoleshenti të zhdukej më pas dhe 7 vite më vonë u gjetën eshtrat e tij.
Sipas të dënuarit, e gjitha ngjarja rrotullohet rreth mbrëmjes së maturës së gjimnazit ku kishte shkuar me makinë dhe më pas kishte takuar atje edhe viktimën dhe një shokun e tij. Më pas ai rrëfen se pasi e kishte çuar dhe ishte kthyer me Mariglenin nga Shëngjini, e kishte lënë në Mamurras dhe prej aty nuk e ka parë më.
“Në momentin që kam shkuar në maturë, më kanë marrë në telefon disa njerëz. Mariglen Gjonaj, i ndjeri ka ardhur me disa njerëz të vetë që janë përmendur në dosje dhe nuk kam përse t’i përmend. Gjatë periudhës që po rrinim, aty kanë marrë në telefon komisariatin sepse u mblodhën shumë makina me çuna të rinj. Në atë moment janë shpërndarë të gjithë se dikush nuk kishte dokumente. Në ato momente Marigleni ngeli aty, ndërsa unë po bëja xhiro me makinë, secili ishim vetëm aty pranë gjimnazit. Ndenjëm aty deri nja 1 orë e gjysmë. Më pas prej aty do iknim te vendi ku bëhej matura. Në atë moment jam nisur unë me makinë dhe 2 apo 3 persona të tjerë. Kam parë 3 persona të tjerë në këmbë që po ecnin. I ndjeri Mariglen Gjonaj dhe 2 të tjerë.
Mu lut vetë Marigleni për ta dërguar deri tek një hotel në Shëngjin ku donte të takonte një njeri. E kam dërguar pas shumë lutjesh dhe më pas jemi rikthyer tek vendi ku bëhej matura. Ata po niseshin për të ikur në shtëpi dhe jemi përshëndet. Unë Marigleni dhe një tjetër kemi bërë një xhiro deri në Fushë Kuqe dhe kemi shkuar për në Mamurras. Në atë moment zbritëm një prej shokëve, shkuam deri në fund të Mamurrasit dhe aty na u prish makina. Zbriti edhe Marigleni. Ka qenë ora rreth 4 e gjysmë e kam lënë brenda në Mamurras. Marigleni prej aty u nis për në qendër. Nga aty nuk e kam parë më”- u shpreh i dënuari gjatë deklaratës së tij.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2016 dhe dyshohet se motiv për vrasjen është bërë qëllimi për t’i vjedhur adoleshentit orën “Rolex” që mbante në dorë. Eshtrat e të miturit u gjetën vetëm 7 vite më vonë dhe po ashtu edhe autori i dyshuar u arrestua 7 vite më vonë. Familjarët e të dënuarit shprehen të bindur se djali i tyre nuk ka gisht në vrasjen e Mariglen Gjonajt. Versus.al








