AKTUALITET /

Vrau bashkëshorten, Naim Murseli përballet me vëllain e viktimës në gjyq, debat për motivet e vrasjes dhe tradhtinë

Gjatë së seancës Naimi i ka drejtuar disa pyetje Leonardit, pyetje të cilat kanë shkaktuar dhe debate në sallë.

Shkruar nga Versus
Vrau bashkëshorten, Naim Murseli përballet me vëllain e
Naim Murseli/ Lenoard Ademaj

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet gjyqi ndaj Naim Murseli i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademaj.

I ftuar për të dëshmuar ditën e sotme ishte vëllai i viktimës, Leonard Ademaj.

Gjatë së seancës Naimi i ka drejtuar disa pyetje Leonardit, pyetje të cilat kanë shkaktuar dhe debate në sallë.

''E kam një pyetje për Leonardin. Për 13 vite martesë a është ankuar ndonjëherë motra jote për mua apo për raportin tonë?” ishte pyetja që Naim Murseli i drejtoi kunatit të tij.

“Jo, nuk është ankuar… përveçse disa muaj para se të ndodhte ngjarja. Ishte prekur shumë nga një aferë tradhtie e Naimit me një të afërme. Por ajo vetë e kishte zgjidhur dhe ne nuk e kemi kundërshtuar.” është përgjigjur Leonardi.

Në fund të pyetjeve, Naim Murseli iu referua dy motiveve të përmendura në aktakuzë dhe e pyeti Ademajn se cilin e beson si më të mundshëm.

“Në aktakuzë prokurorja përmend dy motive: njëra që ka të bëjë me financa dhe me sigurim jetësor – që nuk dihet asgjë për atë sigurim jetësor se si janë kushtet. Motivi tjetër që thuhet është se Liridona më ka tradhtuar. Cilin motiv e beson Leonard Ademaj?”, pyeti Murseli.

Ademaj u përgjigj: “Motivin që Liridona të ka tradhtuar e ke thënë ti vetë, nuk e ka thënë ajo. Për sigurimin, ti e di më mirë, se ia ke bërë asaj, jo vetes. Po ashtu e di mirë kur i ke thënë babit në shtëpi që ‘ja kam bë një sigurim Liridonës se nëse e gjen diçka, përfitojmë shumë dhe fëmijët sigurohen’. Përveç versionit të tradhtisë, të dy versioneve të tjera u besoj plotësisht”, shkruajnë mediat kosovare. 

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023 në Prishtinë. Në aktakuzë, Naim Murseli akuzohet se ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të hakmarrjes dhe përfitimit financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, me vlerë rreth 260 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, Murseli ka orkestruar krimin në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve u kishte premtuar një shpërblim prej 30 mijë eurosh për ekzekutimin e vrasjes. Kokalla dyshohet se kishte lidhje me ekzekutorin Plava dhe e njoftoi Murselin për këtë./Versus.al

Poll