
Sherri që çoi në vrasjen e 14 vjeçarit M.C nga bashkëmoshatari i tij M.P në shkollën “Fan Noli” ka nisur për një shikim. Kështu është shprehur në polici i mituri i arrestuar për ngjarjen e rëndë që tronditi vendin.
Në polici, 14 vjeçari ka zbuluar se sherri kishte nisur ditën e premte vetëm sepse viktima e kishte shikuar. Më pas e kishin lënë që të takoheshin sërish për t’u sqaruar, por të hënën u zunë sërish. Pas konfliktit që kishin pasur në shkollë roja, kishte ndërhyrë dhe të miturit i kishin thënë se nuk kishin ndërmend të ziheshin më.
“Sherri nisi të premten sepse po më shikonte. E lamë të takoheshim për t’u sqaruar por u zumë prapë të hënën. Ne thirrëm shokët dhe më pas ndodhi ajo që ndodhi. Thikën e kisha fshehur në një vend pranë shkollës”- mësohet të jetë shprehur i mituri që kreu krimin.
Por vetëm 200 metra më poshtë, 14 vjeçari M.P qëlloi me thikë në zemër disa herë bashkëmoshatarin M.C i cili ndërroi jetë pasi u dërgua në spital.
Ngjarja shokoi opinionin publik për shkak të rritjes së kriminalitetit tek të miturit. Ajo çfarë shtoi dozat e tronditjes ishin veprimet e autorit 14 vjeçar i cili duke u ndjerë “krenar” për krimin e bërë publikoi foto në rrjetin “snapchat” me grusht dhe krahun e fashuar.
Në rrjet pati edhe video të thikës së stërmadhe të cilën 14 vjeçari përdori për të kryer vrasjen e rëndë. Siç duket i mituri e merrte atë me vete në shkollë dhe nuk kishte asnjë lloj kontrolli mbi të nga ana e autoriteteve arsimore apo oficerit të sigurisë në shkollë.
Ditën e djeshme, nxënësit e shkollës “Fan Noli” vendosën buqeta me lule në vendin ku ndodhi sherri që i mori jetën të miturit. Ndërsa prindërit thanë për mediat se situata është shumë e rëndë dhe shkak për këtë është dobësimi i roli të mësuesit. Si reagim për ngjarjen, të enjtën në orën 11:00 do të mbahet një marshim në formë proteste e prindërve. Versus.al








