
Sot në Gjykatën e Tiranës do të caktohet masa e sigurisë për Elvis Shkambin, 30 vjeçarin që vrau gjyqtarin Astrit Kalaja të hënën në sallën e gjyqit si dhe për xhaxhain e tij Gjon Shkambi dhe punonjësin e sigurisë së gjykatës, Banush Koxhën.
Elvis dhe Gjon Shkambi kanë dalë para gjykatës nën masa të rrepta sigurie duke marrë parasysh deilkatesën e kësaj situate. Arenc Çela është prokuror i çështjes së tyre, ndërsa Marinela Osmani është gjyqtare.
Për ngjarjen e ndodhur më datë 6 tetor, autori akuzohet për vrasje të funksionarëve publike. ndërsa xhaxhai i tij Gjon Shkambi dyshohet se e ka nxitur të kryejë krimin e rëndë për pronën në Shkodër. Para gjykatës sot del edhe Banosh Koxha, 63 vjeçari që punonte si roje sigurie në gjykatë i dyshuar për "shpërdorim detyre" me argumentin se nuk kishte vepruar pavarësisht se skaneri kishte sinjalizuar për armën e autorit.
Ndërkohë gjykatat në gjithë vendin kanë bojkotuar punën duke pezulluar gjyqet për këtë javë. Sot të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e vendit do të zhvillojnë mbledhje të ndara lidhur me ngjarjen e ndodhur së fundmi dhe masat që duhen ndërmarrë. Versus.al







