
Autori i dyshuar i vrasjes së 22-vjeçares Ilaria Sula, do të përballet për herë të parë me drejtësinë.
Nesër, në Seksionin e Tretë të Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tribunalin e Romës, pritet të nisë gjyqi ndaj Mark Antony Samson, i riu filipinas që ka pranuar se vrau ish-të dashurën e tij shqiptare.
Krimi ndodhi në fund të marsit dhe tronditi opinionin publik në Itali dhe Shqipëri.
Hetuesit zbuluan se Ilaria Sula u qëllua me thikë në apartamentin e familjes së Samsonit në Romë, ndërsa më pas trupi i saj u vendos në një valixhe dhe u braktis në një zonë shkëmbore në periferi të kryeqytetit italian.
Samson akuzohet nga prokuroria për vrasje me paramendim, me rrethana rënduese që lidhen me marrëdhënien sentimentale me viktimën, si dhe për fshehje të trupit.
Gjithashtu nëna e Samsonit do të dalë para gjykatës më 28 nëntor, pasi dyshohet se ka ndihmuar të birin në fshehjen e kufomës. Prokuroria ka kërkuar një dënim prej dy vitesh burg, i cili do të shqyrtohet në seancën paraprake dëgjimore.
Prindërit e 22-vjeçares, Flamuri dhe Gezime Sula, kanë mbërritur në Romë së bashku me avokatin e tyre për të ndjekur seancën e parë. Ata janë shprehur se, pavarësisht dhimbjes, besimi se drejtësia do të vihet në vend është i vetmi ngushëllim që i mban të fortë.
