Xhilian Zheleku, roje bregdetare pranë kanalit të Çukës në Sarandë, është bërë hero për pushuesit këtë fundjavë. Sipas mediave lokale, Zheleku ka ndërhyrë me guxim dhe profesionalizëm për të shpëtuar jetën e gjashtë turistëve që rrezikonin të mbyteshin në det.
Ngjarja ndodhi të shtunën, në një nga zonat më të rrezikshme të bregdetit të Sarandës, ku përplasja e rrymave detare dhe ndryshimi i drejtimit të pikëderdhjes së lumit të Bistricës kanë krijuar kushte të rrezikshme për notuesit.
Pavarësisht rrezikut për jetën e tij, Zheleku nuk hezitoi të hynte në ujë për të nxjerrë një nga një turistët në rrezik. Falë reagimit të tij të shpejtë dhe përkushtimit ndaj detyrës, të gjashtë personat shpëtuan pa pasoja.
Banorët e zonës prej kohësh kanë ngritur alarmin për këtë pjesë të bregdetit, duke kërkuar ndërhyrje nga autoritetet. Ndryshimet në rrjedhën e lumit Bistricë kanë rritur ndjeshëm rrezikun për notuesit, dhe aktualisht ajo zonë konsiderohet një pikë e kuqe për pushuesit.
U bëhet apel autoriteteve për të marrë masa urgjente, për të ndaluar notin në këtë segment të rrezikshëm dhe për të garantuar sigurinë e pushuesve. Veprimi heroik i Zhelekut duhet të shërbejë si një thirrje për më shumë vëmendje institucionale dhe përmirësim të kushteve të sigurisë në të gjitha plazhet e vendit. /Versus.al







