
Detaje të reja janë zbuluar mbi ndërtimin pa leje të dhjetë kapanoneve në zonën turistike të Thethit, të cilat janë denoncuar më herët nga autoritetet vendore, por për të cilat prokuroria nuk ka hapur asnjë hetim.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se dyshohet që pronarja zyrtare e tokës, shtetasja Lene Prroni, është përdorur si "mbulesë" nga Prek Kodrat. Pikërisht ky i fundit dyshohet se ka financuar ndërtimin e objekteve pa leje, që shfrytëzohen për qëllime turistike dhe përfitime ekonomike, ndërsa në dokumente figuron vetëm e moshuara. Administrimi i këtij aktiviteti i është besuar djalit të saj.
Sipas dosjes së prokurorisë, Prroni kishte kërkuar leje ndërtimi pranë bashkisë, por iu refuzua për shkak të mungesës së të drejtës ligjore për të ndërtuar në atë zonë. Megjithatë, ndërtimet u realizuan pavarësisht refuzimit dhe pa asnjë leje zyrtare.
Pavarësisht kësaj, Prokuroria e Shkodrës, nën drejtimin e prokurores Elsa Gjeli, ka vendosur të mos nisë hetime, me arsyetimin se ndërtimet janë pa themele, dhe për rrjedhojë nuk përbëjnë vepër penale në këndvështrimin e saj.
Prek Kodra, emri që del në prapavijë të kësaj çështjeje, është një figurë e njohur për drejtësinë, i përfshirë edhe në dosjen e bujshme “Metamorfoza”.
Nga hetimet e kësaj dosjeje, ka rezultuar se ai kishte planifikuar atentate ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, si dhe ndaj dy politikanëve të tjerë kosovarë./Versus.al







