
Janë bërë publike emrat e katër kandidatëve që do të garojnë për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Sipas njoftimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), afati zyrtar për aplikimet përfundoi më 8 tetor, dhe dokumentet e depozituara tregojnë se për këtë pozicion kanë shprehur interes:
Klodian Braho
Elvin Gokaj
Doloreza Musabelliu
Adnan Xholi
Kandidatë për drejtimin e SPAK janë prokurorë të këtij institucioni, dhe drejtuesi i ri do të zgjidhet për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi, pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit më 18 dhjetor.
Zgjedhja e kreut të SPAK do të bazohet në eksperiencën në çështje të korrupsionit dhe krimit të organizuar, aftësitë drejtuese, vizionin dhe planin për organizimin e Prokurorisë, si dhe imazhin publik dhe karrierën e kandidatit.
Pas verifikimit të kushteve paraprake, Komisioni për Zhvillimin e Karrierës paraqet brenda 10 ditësh listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret për miratim në mbledhjen plenare të KLP-së.
Votimi për drejtuesin e SPAK do të jetë i hapur dhe nominal, dhe kandidati që merr më shumë vota do të shpallet kryetar.
Në rast se dy ose më shumë kandidatë marrin të njëjtin numër votash, Këshilli zhvillon votim të dytë mes tyre për të përcaktuar fituesin.







