
Një sulm me armë zjarri në një shkollë në qytetin Graz të Austrisë ka përfunduar në tragjedi, duke lënë të paktën 11 persona të vdekur.
Ngjarja ka tronditur thellë opinionin publik, në një vend që prej kohësh konsiderohet ndër më të sigurtit në Evropë, falë kontrollit të rreptë të armëve dhe ndërgjegjësimit të lartë qytetar.
Rina Demjaha, mjeke specializante në Departamentin e Neurologjisë pranë Universitetit të Grazit, ka dhënë detaje për situatën në një prononcim për RTK-në.
Ajo ka treguar se spitali publik i qytetit dhe i gjithë stafi mjekësor janë mobilizuar menjëherë për të trajtuar të plagosurit e ardhur nga vendi i ngjarjes.
“I gjithë universiteti dhe spitali janë vënë në gatishmëri. Viktimat dhe të plagosurit janë sjellë menjëherë për trajtim. Ky është një sulm që askush nuk e kishte parashikuar, sidomos në një vend si Austria, ku ndihen gjithnjë të sigurt. Tani e gjithë shoqëria është në gjendje tronditjeje të thellë,” – tha Demjaha.
Sipas të dhënave paraprake, i dyshuari për këtë akt të rëndë është një shtetas austriak, ish-nxënës i shkollës ku ndodhi masakra, i cili nuk kishte arritur të diplomonte.
Deri më tani, autoritetet kanë bërë publik identitetin e autorit, por jo atë të viktimave, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Demjaha shtoi se arsyet që çuan në këtë sulm të dhunshëm mbeten ende të paqarta dhe autoritetet nuk kanë dhënë informacion të plotë mbi motivet e mundshme.
View this post on Instagram







