BOTA /

Giovanni Brusca, kasapi i mafies italiane, i lirë pas 29 vitesh: Nga besnik i Totò Riina-s në dëshmitar i shtetit

Brusca, i cili mban përgjegjësi për rreth 150 vrasje, përfshirë edhe rrëmbimin, torturimin dhe tretjen në acid të një fëmije 12-vjeçar, Giuseppe Di Matteo, është liruar në bazë të ligjit mbi bashkëpunëtorët e drejtësisë – një ligj që vetë Falcone e kishte promovuar me bindje, si mënyrë për të shkatërruar mafien nga brenda.

Shkruar nga Versus

Giovanni Brusca, kasapi i mafies italiane, i lirë pas 29 vitesh: Nga besnik

Pas 25 vitesh burg dhe 4 të tjera nën mbikëqyrje, Giovanni Brusca, një nga kriminelët më famëkeq të Cosa Nostra-s, është përfundimisht i lirë. I njohur ndryshe si “kasapi i krishterë”, ai është njeriu që shtypi butonin e telekomandës që vrau gjyqtarin Giovanni Falcone, bashkëshorten e tij dhe truprojat, më 23 maj 1992, në masakrën e njohur të Capacit.

Brusca, i cili mban përgjegjësi për rreth 150 vrasje, përfshirë edhe rrëmbimin, torturimin dhe tretjen në acid të një fëmije 12-vjeçar, Giuseppe Di Matteo, është liruar në bazë të ligjit mbi bashkëpunëtorët e drejtësisë – një ligj që vetë Falcone e kishte promovuar me bindje, si mënyrë për të shkatërruar mafien nga brenda.

Maria Falcone: Dhimbje si motër, por pranueshmëri si qytetare

Maria Falcone, motra e gjyqtarit të ndjerë, ka reaguar me hidhërim të thellë ndaj këtij zhvillimi, por njëkohësisht ka treguar maturi institucionale:

“Si motër dhe si qytetare nuk mund të fsheh dhimbjen. Por si pjesë e institucioneve, më duhet të pranoj se ky është ligji – një ligj i nevojshëm për të luftuar mafien, i dëshiruar nga vetë Giovanni.”

Krimet e Brusca-s: Njollat e errëta të mafies

Përtej Capacit, Brusca ka qenë një figurë kyçe edhe në masakrën e Via D’Amelio, si dhe në atentatet me eksploziv të vitit 1993 në Romë, Milano dhe Firence. Por ndër krimet më të tmerrshme mbetet ai ndaj Giuseppe Di Matteo, djali i mafiozit Santino Di Matteo, që u torturua dhe u vra në mënyrë çnjerëzore, për të shantazhuar të atin që kishte vendosur të bashkëpunonte me drejtësinë.

Brusca: Nga besnik i Totò Riina-s në dëshmitar të shtetit

Arrestuar në maj të vitit 1996, në zonën bregdetare të Agrigentos, Brusca fillimisht tentoi të mashtrojë drejtësinë, por më pas pranoi të bëhej bashkëpunëtor, duke ofruar dëshmi kyçe për ndërtimin e strukturave kriminale të klanit San Giuseppe Jato dhe komandës famëkeqe të Corleonesëve.

Tani, ai do të jetojë nën identitet të ri, jashtë Siçilisë, si pjesë e programit të mbrojtjes së dëshmitarëve./Versus.al/

Poll