
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka zyrtarizuar marrëveshjen për garim të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit me ish-presidenten Vjosa Osmani, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se LDK-ja e ka mbështetur propozimin e tij që Osmani të jetë bartëse e listës zgjedhore dhe kandidatja për presidente. Vetë Abdixhiku do të jetë kandidat për kryeministër.
Abdixhiku tha se vendimi është marrë unanimisht në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, duke shtuar se në listën zgjedhore të partisë do të përfshihen edhe 19 emra të tjerë të propozuar nga Osmani.
Në ditët e fundit, Osmani ka konfirmuar se pjesë e rrugëtimit të saj politik do të jenë figura si: Fahrie Hoti, aktiviste e njohur kryesisht për përfaqësimin e grave të Krushës së Madhe pas luftës së Kosovës; Jeta Statovci, ish-deputete e Guxo-s dhe ndër më të votuarat në listën e LVV-së në zgjedhjet e fundit; Albena Reshitaj, ish-ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ish-deputete e AAK-së.
Para largimit, Osmani kishte qenë një nga figurat më të votuara të LDK-së dhe, në karrierën e saj politike, ka ushtruar funksione të rëndësishme institucionale, përfshirë atë të presidentes dhe deputetes.
Raportet e saj me strukturat e atëhershme të LDK-së u përkeqësuan pas zgjedhjeve të vitit 2019 dhe rrëzimit të Qeverisë Kurti I. Në zgjedhjet e vitit 2021, Osmani garoi në koalicion me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa më pas formoi subjektin e saj politik, Lista Guxo.
Pas fitores së zgjedhjeve, ajo u zgjodh presidente e Kosovës dhe e ushtroi mandatin deri në përfundim, por mosmbështetja për një mandat të dytë nga LVV-ja prishi raportet mes tyre. REL

