
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon hetimin hap pas hapi lidhur me rastin e raportuar pak ditë më parë në Akademinë e Sigurisë në Sauk, ku disa kursantë dyshohet se kanë shfaqur simptoma helmimi.
Sipas njoftimit zyrtar, pas komunikimit ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë, AKU ndërhyri menjëherë në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese dhe ato shëndetësore për të verifikuar konkretisht situatën.
Trupat inspektuese kanë marrë mostra të produkteve ushqimore të dyshuara, si lëndë të para ashtu edhe ushqime të gatshme për konsum, të cilat janë dërguar për analizim pranë laboratorëve të ISUV. Aktualisht priten rezultatet laboratorike që do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, është kryer edhe kampionimi i ujit të rrjetit në ambientet e akademisë, i cili do t’i nënshtrohet analizave mikrobiologjike për të verifikuar nëse ka ndonjë ndotje të mundshme.
Nga ana tjetër, NJVKSH vijon verifikimet dhe monitorimin e situatës, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik ka marrë mostra për testimin e higjienës në ambientet ku përgatitet ushqimi.
Rezultatet e analizave dhe raporti përfundimtar epidemiologjik pritet të përcaktojnë burimin e mundshëm të infeksionit dhe të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së mëtejshme.
AKU thekson se mbetet në gatishmëri të plotë për ndjekjen e këtij rasti, duke apeluar njëkohësisht për respektimin rigoroz të praktikave higjieno-sanitare në garantim të sigurisë ushqimore.

