SHBA- Mediat amerikane kanë raportuar se administrata e presidentit Donald Trump u ka dërguar një kërkesë Serbisë dhe shteteve të tjera të Ballkanit që të pranojnë emigrantë të cilët janë deportuar nga Amerika.
Këto kërkesa janë pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA për të gjetur qeveri të huaja që janë të gatshme të pranojnë emigrant të deportuar. Muajin e kaluar, Gjykata Supreme e SHBA-së lejoi administratën e Trump të revokojë statusin e përkohshëm ligjor të qindra mijëra migrantëve venezuelas, kubanezë, haitianë dhe nikaraguanë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, duke forcuar përpjekjen e presidentit republikan për të rritur deportimet.
Administrata Trump ka kërkuar destinacione të mundshme për emigrantët që mund të deportohen si rezultat i vendimit.
Në artikull nuk përmendet specifikisht Shqipëria si një prej vendeve që mund të presë emigrantë të deportuar, megjithatë më herët SHBA e përmendi si një prej shteteve ku mund të strehoheshin palestinezët e zhvendosur nga Lindja e Mesme.
Vetë kryeministri Edi Rama në një intervistë të dhënë deklaroi se edhe nëse një kërkesë e tillë do të vijë nga SHBA, Shqipëria nuk do të pranojë emigrantë lufte nga Palestina. Versus.al







