
Pas ngjarjes së rëndë që tronditi Austrinë paraditen e djeshme ku 10 nxënës e mësues u vranë në një shkollë, edhe në Francë ka ndodhur një vrasje që ka tronditur opinionin publik.
Mësohet se Melanie G, një ndihmës mësuese është vrarë nga një nxënës 14 vjeçar jashtë shkollës ku jepte mësim në qytetin Nogent.
31 vjeçarja, nënë e një djali 4 vjeçar humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra. Ajo ndodhej jashtë shkollës duke kryer një kontroll të zakonshëm të çantave kur ndodhi sulmi fatal me thikë.
Adoleshenti është arrestuar në vendngjarje. Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë, ndërsa i dyshuari nuk kishte precedentë penalë apo kontakte të njohura me policinë.
Melanie, një ish-parukiere e dekoruar për punën e saj krijuese, kishte zgjedhur të ndryshonte karrierë për t’iu përkushtuar edukimit të të rinjve dhe për të ndërtuar një jetë më të qëndrueshme për veten dhe djalin e saj. Ish-klientë dhe miq janë mbledhur pranë shkollës për të vendosur lule dhe për të nderuar kujtimin e saj.
Presidenti francez Emmanuel Macron dënoi sulmin, duke e quajtur “një valë të pakuptimtë dhune që po godet shkollat”. Në një deklaratë në rrjetin X, ai u shpreh: “Ndërsa mbronte fëmijët tanë, një asistente mësuese humbi jetën… Kombi është në zi.”
Pas incidentit, shkolla me 324 nxënës u fut në izolim, ndërsa mësimet u pezulluan për dy ditë. Versus.al







