AKTUALITET /

Mbetjet e pulave u hodhën në liqenin e Shkodrës? “Driza” “ia ngec” punëtorit! Reagimi për Versus.al: Veprim individual i tij, u procedua

Në reagimin e dhënë për Versus.al, kompania thekson se nuk ka në Shkodër bëhet vetëm tregtimi i produkteve të mishit dhe se punonjësi e ka përdorur furgonin për të hedhur në liqen mbeturina nga banesa e tij që nuk kanë lidhje me kompaninë.

Shkruar nga Versus
Mbetjet e pulave u hodhën në liqenin e Shkodrës?
Fotomontazh: Furgoni i kompanisë "Driza" në liqenin e Shkodrës dhe një makinë policie (ilustrim)

Një video e publikuar ditën e djeshme në rrjetet sociale ku nga një furgon i “Driza Shpk” hidheshin mbetje në liqenin e Shkodrës, ka ngjallur shumë reagime në opinionin publik mbi ndotjen që po i bëhet ambientit.

Për të patur një sqarim rreth këtij skandali, Versus.al kontaktoi me kompaninë “Driza” e cila ka pulari në Fier ku merret me mbarështrimin e pulave dhe prodhimin e mishit të pulës.

Përfaqësuesja e kompanisë hodhi poshtë pretendimet se në furgon ka patur mallrat të “Drizës” dhe tha se bëhet fjalë për një akt papërgjegjshmërie të njërit prej punonjësve.

Në sqarimin e dhënë argumentohet se është e pamundur që mbetjet e pularisë së Fierit të dërgohen në Shkodër me një automjet kaq të vogël dhe se punonjësi i kompanisë ka hedhur në liqen mbeturina që kishte patur rreth banesës së tij dhe jo produkte të kompanisë.

“Janë kryer procedurat, nuk ka pulari Driza në Shkodër. Ky është një veprim individual i punonjësit tonë që është atje. Është e pamundur të hedhim mbetje atje sepse atje në Shkodër tregtojmë produktet e mishit. Punonjësi nuk ka patur fare produkte të mishit, por mbeturina të familjes së tij. Janë duke u kryer procedurat me institucionet ligjore në Shkodër. Ne zhvillojmë aktivitetin në Fier, në vendndodhje të ndryshme, por gjithmonë në Fier. Është e pamundur të transportosh mbetje me një makinë aq të vogël dhe t’i çosh në Shkodër”- u shpreh përfaqësuesja e kompanisë “Driza” duke theksuar se policia dhe institucionet e mbikëqyrjes së ambientit, po kryejnë procedurat përkatëse ndaj punonjësit të kompanisë.

Për ngjarjen ka reaguar zyrtarisht edhe policia ku bëhet me dije se kanë nisur procedim në gjendje të lirë për shoferin 31 vjeçar Klaudio Gjoka.

"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë kryer veprimet hetimore për rastin dhe kanë identifikuar shtetasin K. Gj., i cili shfaqet në video, duke hedhur nga automjeti në lumë, mbetje të kompanisë ku ai punon, e cila ka si veprimtari përpunimin e mishit të pulës.

Në përfundim të veprimeve për rastin, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në penal për shtetasin K. Gj., 31 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”"- thuhet në njoftim. Versus.al

Poll