
Donald Trump ka marrë çelësat e 'Shtëpisë së Bardhë'. Një personazh me tipare të diskutueshme ai u shndërrua nga një sipërmarrës i sukssshëm në një figurë të rëndësishme në politikën amerikane. I dashur dhe i urryer njëkohësisht ai sfidoi konventat tradicionale dhe ripërcaktoi rolin e presidencës, duke ndikuar thellë në të ardhmen e Partisë Republikane dhe në përgjithësi në politikën amerikane.
Fëmijëria e Donald Trump
Donald John Trump lindi më 14 qershor 1946 (78 vjeç) në Nju Jork, djali i një sipërmarës në pasuritë e palujtshme, Fredi Trump, ndërsa e ëma e tij Mary Anne me origjinë skoceze, u rrit në Queens, ku ndoqi shkolla private duke përfshirë Akademinë Ushtarake të Nju Jorkut, ku shkëlqeu në aspektin akademik. Më pas ai u regjistrua në Universitetin Fordham, Universitetin e Pensilvanisë, dhe në vitin 1968 u diplomua për Ekonomi në Wharton School. Edhe në moshë të re, Trump kishte një talent të natyrshëm për biznesin i frymëzuar nga suksesi i babait të tij si sipërmarrës në pasuri të palujtshme.
Rritja e suksesit në biznes
Pas diplomimit, Trump iu bashkua biznesit të pasurive të paluajtshme të familjes së tij, Elizabeth Trump & Son. Ambicioz dhe iniciativ, ai e riemëroi kompaninë 'The Trump Organization' dhe u fokusua në projekte shumë të dukshme në Manhattan. Një nga sukseset e tij të para ishte rinovimi i Hotelit Commodore, i shndërruar në Hotel Grand Hyatt falë aftësisë së tij për të negociuar financimin dhe uljen e taksave.
Në vitet 1980, Trump u bë një nga fytyrat më të njohura në skenën e pasurive të paluajtshme në Nju Jork. Ai ndërtoi Trump Tower , një rrokaqiell 58-katësh në Fifth Avenue që u bë një simbol i stilit dhe ambicieve të tij. Ai gjithashtu investoi në kazinotë në Atlantic City, si Trump Plaza dhe Taj Mahal. Pavarësisht këtyre sukseseve, ekspozimi i tepërt i borxhit dhe një sërë zgjedhjesh të dyshimta çuan në probleme financiare gjatë fillimit të viteve 1990, duke kulmuar në falimentimet e korporatave.
Fama televizive: "The Apprentice"
Në vitet 2000, Trump u rishfaq si një yll televiziv falë shfaqjes hit The Apprentice, ku pjesmarrësit konkuronin për pozicione në kompaninë e tij. Slogani i famshëm “ Je pushuar nga puna! ” u bë një frazë ikonike në Shtetet e Bashkuara. Falë popullaritetit të programit, Trump konsolidoi imazhin e tij publik si një sipërmarrës i suksesshëm, duke zgjeruar markën e tij dhe duke diversifikuar aktivitetet tregtare të lidhura me emrin e tij. Nga markat e veshjeve te shishet e ujit, marka "Trump" u bë e njohur ndërkombëtarisht.
Jeta private dhe skandalet
Jeta private e Trump është mbuluar nga media për dekada. I martuar tre herë , e para me Ivana Zelnicková, me të cilën pati tre fëmijë: Donald Jr., Ivanka dhe Eric. Pas divorcit, ai u martua me Marla Maples, me të cilën pati një vajzë, Tiffany. Më në fund, në vitin 2005 ai u martua me Melania Knauss, me të cilën pati fëmijën e tij të fundit, Barron. Jeta e tij private dhe divorcet publike ishin shpesh objekt i vëmendjes së tabloideve, duke kontribuar në famën e tij.
Trump ka qenë në qendër të skandaleve të shumta , nga akuzat për sjellje të pahijshme seksuale deri te bashkëpunimet e dyshuara me grupet ruse për të ndikuar në zgjedhje. Gjatë presidencës së tij, ai u hetua për ndërhyrje ruse në vitin 2016, por raporti i këshilltarit special Robert Mueller nuk çoi në ndonjë përfundim në lidhje me marrëveshjet e drejtpërdrejta. Përveç kësaj, ai është kritikuar për trajtimin e financave personale, me hetime të gjera mbi deklaratat e tij tatimore dhe praktikat e dyshuara të shmangies së taksave.
Ai u dënua për tridhjetë e katër akuza në lidhje me falsifikimin e dokumenteve të korporatës, të cilat dolën gjatë hetimit për pagesat për të blerë heshtjen e aktores së filmave për të rritur Stormy Daniels , me të cilën dyshohet se kishte një lidhje në vitin 2006.
Presidenca: suksese dhe polemika
Pas vitesh flirtimi me idenë për të kandiduar për president, Trump shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij si republikan në vitin 2015. Stili i tij provokues dhe slogani i tij " Bëni Amerikën përsëri të Madhe " i dhanë atij një bazë të madhe mbështetësish, shumë prej tyre të pakënaqur me politikën kryesore. Në nëntor 2016, kundër të gjitha gjasave, ai fitoi zgjedhjet, duke mundur kandidaten demokrate Hillary Clinton.
Mandati i Trump u karakterizua nga politika ekonomike që synonin uljen e taksave dhe rregulloret e biznesit , duke arritur suksese ekonomike në vitet e para të administratës së tij. Ai ka mbrojtur një politikë të "Amerikës së pari", duke tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshjet ndërkombëtare si Partneriteti Trans-Paqësor dhe Marrëveshja e Parisit për Klimën. Në politikën e jashtme, ai ka marrë pozicione të forta kundër Kinës dhe ka kërkuar të zvogëlojë praninë ushtarake të SHBA jashtë vendit.
Megjithatë, presidenca e Trump është shoqëruar dhe me polemika të forta të brendshme. Politikat e tij të migracionit, në veçanti "ndalimi i udhëtimit" dhe ndërtimi i një muri në kufirin me Meksikën, kanë tërhequr kritika të forta. Ai u përball gjithashtu me dy akuza: i pari në 2019 për shpërdorim të pushtetit dhe pengim të Kongresit, dhe i dyti në 2021 për nxitje të një kryengritjeje pas sulmit në Kapitol. Të dy akuzat përfunduan me pafajësi nga Senati./Versus.al








