
Presidenti amerikan në largim Joe Biden është shfaqur i përlotur në ditën e parë të konventës së demokratëve të mbajtur në Çikago duke sulmuar në të njejtën kohë Donald Trump të cilin ai e quajti humbës.
Joe Biden në një fjalim emocionues, në vazhdën e tërheqjes së tij nga gara për një mandat të dytë dhe në mbështetje të kandidaturës së Kamala Harris foli për katër vite duke thënë se bëri shumë gabime por dha maksimumin për SHBA-në.
Presidenti mori një brohoritje të fortë nga delegatët teksa hynte në sallën kryesore ku të pranishmit thërrisnin "ne të duam Joe!" ose "faleminderit Joe!".
Ai i quajti zgjedhjet një "betejë për shpirtin e demokracisë", duke shtuar se ai mori detyrën gjatë dimrit, një kapitull i errët në historinë amerikane.
Gjithashtu promovoi sukseset e tij legjislative, duke theksuar projektligjin e tij të infrastrukturës.
“Detyra e një presidenti është të japë për të gjithë Amerikën. Falë jush, ne kemi pasur një nga katër vitet më të spikatura të përparimit ndonjëherë. “Kur them ne, dua të them Kamala dhe unë”, u shpreh ai.
Biden tha se zgjedhja e Kamala Harris si kandidate e tij për vitin 2020 ishte “vendimi më i mirë i gjithë karrierës sime”.
Ai tha gjithashtu se të dy ishin bërë "miq të ngushtë" ndërsa punonin së bashku dhe se ajo do të ishte një presidente e shkëlqyer.
Publiku brohoriti në sallë, por brohoritjet u bënë edhe më të forta kur Joe Biden fshiu lotët dhe përqafoi vajzën e tij përpara se të thoshte "faleminderit".
Në fund të fjalimit të tij, Joe Biden shpërtheu në lot teksa i dha vajzës së tij Ashley Biden një përqafim të madh ndërsa turma shpërtheu në brohoritje.
Presidenti amerikan u bëri thirrje votuesve që të zgjedhin Kamala Harris, në vend të Donald Trump, të cilin e quajti "kriminelin e dënuar".
Ai gjithashtu e quajti paraardhësin e tij republikan një "humbës.








