Shtëpia e Bardhë i ka bërë thirrje presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, të “mos ndërhyjë më” në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, pasi ai shprehu mbështetjen e tij për nënpresidenten amerikane, Kamala Harris.

Duke folur në Forumin e Euroazisë Lindore në qytetin rus Vlladivostok të enjten, Putini tha se Moska parapëlqen që Harris t’i fitojë zgjedhjet e nëntorit në SHBA, sipas portalit Meduza.
“I parapëlqyeri ynë ishte [Joe] Bideni. Ai është tërhequr nga gara, por ai rekomandoi të mbështetet Harrisi. Dhe, ne do ta bëjmë këtë. Ne do ta mbështesim atë”, - tha Putini.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, u përgjigj duke thënë se Putini “nuk duhet ta mbështesë askënd në asnjë mënyrë”.
Kirby shtoi se njerëzit e vetëm që duhet të vendosin se kush duhet të jetë presidenti i ardhshëm janë qytetarët amerikanë.

“Ne do ta vlerësonim shumë nëse Putini… nuk flet më për zgjedhjet dhe nuk përzihet më në to”, theksoi Kibry.
SHBA-ja e akuzon Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet e nëntorit
Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara ngritën aktakuzë kundër dy menaxherëve të një televizioni shtetëror rus dhe e akuzuan Kremlinin për kryerjen e një operacioni të fshehtë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA.







