Një ngjarje tronditëse ka ndodhur këtë të mërkurë në qytetin e Misterbiancos, në provincën e Catanias, ku një foshnjë vetëm disa muajshe ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi u hodh nga një ballkon në rrugë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 në rrugën “Marchese”, në qendrën historike të qytetit. Vajza e mitur ra nga lartësia dhe u ndihmua fillimisht nga kalimtarët e rastit, ndërsa më pas mbërritën ekipet mjekësore të emergjencës. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, fëmija ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda, me gjasë para se të mbërrinte në spitalin e Catanias.
Nëna e ndaluar, babai në spital
Menjëherë pas ngjarjes, karabinierët arrestuan nënën e foshnjës dhe e shoqëruan atë në komisariat për t’u marrë në pyetje. Ndërkohë, babai i vajzës është dërguar gjithashtu në spital pasi kishte nevojë për kujdes mjekësor.
Sipas të dhënave të para nga hetimi, nëna vuante nga depresioni dhe probleme të shëndetit mendor. Ajo ka qenë më parë nën trajtim të detyruar mjekësor, ndodhej në regjim të mbikëqyrur ligjor dhe ishte e ndjekur nga shërbimet e shëndetit mendor të ASP-së në Catania.
Zona e rrethuar, nis hetimi penal
Autoritetet kanë rrethuar zonën dhe kanë ndaluar qarkullimin në banesën ku ndodhi ngjarja, ndërsa ekspertët e kriminalistikës po mbledhin provat për të përcaktuar saktësisht çfarë ka ndodhur.
Prokuroria e Catanias ka hapur një hetim penal dhe në vendngjarje ndodhet edhe prokurori i çështjes. Hetuesit janë duke marrë në pyetje dëshmitarët dhe fqinjët për të rindërtuar kronologjinë e kësaj tragjedie që ka tronditur opinionin publik italian.








