
Kamala Harris pranoi një ftesë nga CNN për të marrë pjesë në një tjetër debat me Donald Trump, më 23 tetor. Me të pranuar ftesën ajo i bëri thirrje edhe rivalit të saj republikan të bënte të njëjtën gjë.
“Donald Trump nuk duhet ta ketë problem të pajtohet me këtë debat. Është i njëjti format dhe organizim si debati i CNN-it që ai mori pjesë dhe tha se fitoi në qershor, kur ai lavdëroi moderatorët, rregullat dhe vlerësimet e CNN," tha në një deklaratë kryetarja e fushatës së Harris, Jen O'Malley Dillon.
"Unë do të pranoj me kënaqësi një debat të dytë presidencial më 23 tetor," postoi Harris më vonë në X. "Shpresoj që Donald Trump të bashkohet me mua."
Trump debatoi me Joe Biden në qershor, kur presidenti amerikan ishte ende në garë për rizgjedhje. Biden performoi aq keq sa përfundoi duke u larguar nga gara në korrik dhe Harris, zëvendëspresidentja, u ngjit në nominim.
I pyetur për pranimin e ftesës së CNN nga Harris, një zëdhënës i Trump vuri në dukje deklaratat e mëparshme të ish-presidentit se nuk do të kishte më debate. Menjëherë më pas, Trump foli në një tubim në Wilmington, Karolina e Veriut, dhe tha se Harris dëshiron vetëm një revansh, sepse ajo po humbet.
“Ajo ka bërë një debat, unë kam bërë dy. Është tepër vonë për të bërë një tjetër, do të doja ta bëja në shumë mënyra, por është tepër vonë, votimi është bërë, votuesit janë atje, menjëherë a po votojnë të gjithë, ju lutem? Dilni dhe votoni”, tha Trump.
Votimi i parë personal filloi në Minesota, Virxhinia dhe Dakota e Jugut të premten dhe disa fletë votimi me postë u dërguan disa ditë më parë. Versus.al








