
Pavarësisht se Donald Trump tashmë ka siguruar rrugën e tij të kthimit në Shtëpinë e Bardhë, ai nuk është ende zyrtarisht president dhe do të duhen më shumë se dy muaj para se të kthehet në Zyrën Ovale.
Dorëzimi i pushtetit nga SHBA është shumë i ndryshëm nga mënyra se si bëhen gjërat në Mbretërinë e Bashkuar. Në korrik, Keir Starmer u emërua si Kryeministër brenda disa orësh pas mbylljes së qendrave të votimit dhe para se Rishi Sunak të kishte paketuar gjërat e tij nga zyra.
Përtej Atlantikut, gjithçka zgjat pak më shumë. Trump nuk do të ketë inaugurimin e tij deri më 20 janar dhe Joe Biden do të qëndrojë në pushtet deri atëherë megjithëse ai do të jetë shumë i kufizuar politikisht në atë që mund të bëjë në atë kohë.
Marrja e Shtëpisë së Bardhë do të jetë një rikthim i jashtëzakonshëm për Trump pas disfatës përballë Joe Bidenit në zgjedhjet e 2020-tës. Turma e mbështetësve të tij u elektrizua kur Fox News projektoi fitoren e Donald Trumpit në këtë garë tejet të ngushtë presidenciale, të cilësuar si historike.
Ai mbajti fjalimin e tij para mbështetësve në Florida ku u shpreh se me këtë fitore nis epoka e artë e Amerikës ndërsa u përqendrua të theksonte se “Zoti i shpëtoi jetën nga atentati për një arsye” që sipas tij është për t’u dhënë fund luftërave gjatë presidencës së tij. Ky është një ndër premtimet kryesore të Trump ndërsa para amerikanëve është zotuar për ndalimin e emigracionit të paligjshëm. Nga ana tjetër, kandidatja humbëse Kamala Harris pranoi rezultatin dhe telefonoi Trumpin pasditen e djeshme për t’i uruar fitoren. Ndërsa më pas në një reagim zyrtar tha se amerikanët duhet të jenë të bashkuar dhe të luftojnë për drejtësinë në vendin e tyre pavarësisht se kush është president.
Nga ana tjetër, fitorja e Donald Trump ka shqetësuar jo pak liderët e Evropës me në krye presidentin francez Emanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz për shkak se Trump ka paralajmëruar më herët tërheqjen e SHBA-ve nga NATO nëse edhe anëtarët e tjerë të mëdhenj nuk paguajnë shumën e detyrueshme të anëtarësisë. Versus.al








