
Ukraina po ngulmon ndaj vendeve perëndimore me kërkesën për të përdorur raketa me rreze të gjatë për sulme thellë në territorin rus, kërkesë që deri më tani nuk është pranuar.
Një refuzim i bërë së fundmi, është ai nga kancelari gjerman Olaf Scholz i cili tha se Gjermania do të jetë kundër idesë që Kievi të përdorë raketa me rreze të gjatë sulmi, edhe nëse vendet e tjera janë me shumicë pro kësaj gjëje. Por siguroi se Gjermania do të vijojë të mbështesë Ukrainën ushtarakisht në mënyrë që vendi të mbrohet.
“Unë mbetem i vendosur në pozicionin tim, edhe nëse vendet e tjera vendosin ndryshe”- theksoi kancelari gjerman.
Pas një takimi mes zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, Ukraina bëri thirrje tjetër për të pasur lejen e përdorimit të këtyre raketave me rreze të gjatë. Pro kësaj kërkese janë rreshtuar ish-kryeministri britanik Boris Johnson dhe 5 ish-ministra të Mbrojtjes të cilët i kanë theksuar kryeministrit Keir Starmer se nuk ka asnjë arsye përse një vendim i tillë të vonohet.
Ukrainasit kanë depërtuar në disa territore ruse, duke u përpjekur të japin kundërpërgjigjie ndaj pushtimit rus, por kjo ka sjellë intesifikimin e sulmeve dhe bombardimeve të Rusisë në Kiev. Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar javë më parë se ka një plan për të arritur paqen dhe se do t’ja parashtrojë presidentit amerikan Joe Biden dhe kandidatëve për presidentë, Donald Trump dhe Kamala Harris. Versus.al








